Stramaccioni: Moratti është i nevrikosur

18/02/2013 14:15

Pas humbjes së rëndë në Firenze, Andre Stramaccioni duhet të ringrejë shpejt Interin e tij pasi pas gjashtë ditësh do të luhet derbi ndaj Milanit, me transfertën e Rumanisë ndaj Cluj në mesjavë.

“Do të jetë një javë vendimtare, por më parë duhet të mendojmë për Cluj e më pas për derbin, të cilin duhet ta fitojmë patjetër. Ndaj Fiorentinës pashë një skuadër të lodhur, nuk pashë probleme në lojë. Unë i pranoj gabimet e mia, por Interi luan keq vetëm pas të enjteve në Europa League”, theksoi Stramaccioni.

Tekniku i zikaltërve sqaron më tej disfatën 4-1 ndaj skuadrës vjollcë: “Nuk e llogarita mirë lodhjen e lojtarëve të mi në kuadër të ndeshjes me Fiorentinën dhe e pagova shtrenjtë. Kemi humbur 5 herë të dielave kur kemi luajtur pas Europa League, është e qartë që ky kompeticion po na sjell disavantazhe.”

Kur u pyet nga mediat sportive italiane nëse puna e tij është në rrezik, Stramaccioni u përgjigj: “Kur stërvit Interin je gjithmonë në qendër të vëmendjes, është normale. Tani mendoj vetëm për kualifikimin ndaj Cluj dhe fitoren ndaj Milanit.”

Trajneri i ri italian pranoi se ka folur me presidentin Moratti pas humbjes: “Është i nevrikosur dhe i trishtuar, ashtu si të gjithë ne. Duhet të kthejmë menjëherë faqe.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA