Drejtuesit e strukturave paralele në veri të Kosovës kanë njoftuar të hënën se do t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të Serbisë që të anulojë marrëveshjet e arritura në dialogun Prishtinë-Beograd.

Zyrtarët ilegalë serbë kanë deklaruar se, marrëveshjet e arritura nuk mund të zbatohen nëse në këtë proçes nuk bisedohet për çështjen e statusit të Kosovës.

“Udhëheqësit, këshilltarët dhe anëtarët e komunave, që nesër do të dalin para Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa delegacioni që do të formohet do t’i dërgojë një letër kryetarit të kësaj gjykate dhe do të flasë me të”, ka deklaruar Radenko Nedeljkoviç.

Nga bisedimet e zhvilluara deri tani mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç, në ndërmjetësimin e Catherine Ashton, janë arritur disa marrëveshje, mes të cilave ajo për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Marrëveshja ka nisur të zbatohet nga pala kosovare, por jo nga ajo serbe, e cila kërkon që mallrat që hyjnë në Kosovë për veriun të mos taksohen.

Ditën e martë do të zhvillohet dhe takimi i pestë Thaçi-Daçiç, që sipas paralajmërimeve të vetë zyrtarëve kosovarë e serbë, por edhe shefes së Politikës së Jashtme të BE, do të hapë fazën e bisedimeve të vështira, pasi do të trajtohet pikërisht çështja e veriut të Kosovës.

Nga ana e saj Prishtina zyrtare shprehet e bindur se do të arrijë të shpërbëjë strukturat paralele, por Beogradi përmes zyrtarëve të ndryshëm ka bërë me dije se s’ka ndërmend t’i largojë ato.

Top Channel