Gjermani, ekonomia do t’i rikthehet rritjes

18/02/2013 19:55

Gjermania do t’i rikthehet rritjes ekonomike në tremujorin e parë të 2013-s, parashikuan ekspertët e Bankës Qëndrore Gjermane ditën e hënë.

Në raportin e përmuajshëm të shkurtit, “Bundesbanku” parashikon një rigjenerim aktual të ekonomisë më të madhe europiane, që ngjalli shqetësim mbarëeuropian kur ra në recesion në muajin e tretë të 2012-s.

Pas një tkurrje prej 0,6% në tetor-dhjetor, për Berlinin është e rëndësishme që të mos regjistrohet një rënie e re, që do të bënte që vendi të klasifikohej zyrtarisht si në recesion.

Recesioni është një term ekonomik që klasifikon dy tremujorë të njëpasnjëshëm negativë.

“Sipas të dhënave aktuale, një rritje e lehtë ekonomike mund të pritet në tremujorin e parë të këtij viti”, shkruante deklarata e “Bundesbank”-ut.

“Gjatë pjesës tjetër të vitit, ritmi i ekonomisë pritet të rritet gradualisht, edhe pse mjedisi i jashtëm ekonomik nuk do të jetë në gjendje që të japë një impuls të rëndësishëm në rritjen e kërkesës blerëse”.

Ndonëse ekonomia më e madhe e kontinentit ka përballuar më mirë goditjen e krizës së Eurozonës, gjatë 2012-s edhe Gjermania tregoi shenja të prekjes nga kriza dhe ngadalësimit të rritjes.

Top Channel