Franca, besim tek rikuperimi i Greqisë

18/02/2013 15:20

”Franca beson në një rikuperim të plote dhe të shpejtë të ekonomisë greke”.

Këtë e deklaroi presidenti i vendit me ekonominë e dytë më të madhe europiane, Francois Hollande, në një intervistë të publikuar për të përditshmen greke “Ta Nea”, në prag të një vizite zyrtare që do të realizojë të martën.

Gjatë kësaj vizite, Hollande do të takohet me homologun e tij Karolos Papoulias dhe kryeministrin Antonio Samaras.

Pritet që Hollande të shprehë mbështetjen e Parisit zyrtar për masat shtrënguese që duhet të rikthejnë stabilitetin ekonomik dhe mbetjen e vendit brenda Eurozonës.

”Vij në Athinë, për të shprehur gatishmërinë e Francën për të kontribuar në rikuperimin financiar të Greqisë”, shtonte më tej presidenti në “Ta Nea”.

Së bashku me Gjermaninë, Franca është financuesi kryesor i kredive madhore që i janë dhënë Greqisë, prej 110 dhe 130 miliardë eurosh, të cilat kanë shmangur falimentimin e plotë në dy vitet e fundit.

Top Channel