Ambasadori britanik në Prishtinë, Ian Cliff ka deklaruar se pavarësisht paqartësive nga disa shtete, proçesi i njohjeve të pavarësisë së Kosovës ka ecur mirë.

“Britania ka lobuar dhe po lobon në vazhdimësi që sa më shumë shtete ta njohin Kosovën. Gjithashtu, lobues të mëdhenj kanë qenë SHBA, Franca dhe vende të tjera perëndimore”, ka thënë Cliff.

Por, i cituar nga “Infoglob”, ambasadori ka vënë në dukje se ky proçes ka edhe pengesa, për shkak të lobimit kundër të Serbisë, e cila megjithatë ka humbur fuqinë e saj.

“Proçesi i lobimit nuk është i lehtë sepse ka vende, si ato në Karaibe dhe të ngjashme, që as nuk e dinë se ku ndodhet Kosova. Pastaj kemi lobimin kundër të Serbisë, fuqia e të cilës gjithësesi ka rënë”, ka nënvizuar Cliff.

Më tej, duke komentuar situatën në Kosovë, diplomati britanik ka vlerësuar ecurinë në 5 vjet pavarësi, por ka nënvizuar se ka ende shumë për t’u bërë që Kosova të arrijë progres në proçeset e integrimit.

“Gjatë pesë viteve të fundit janë bërë gjëra të mira, por ka ende shumë për tu bërë, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, pastaj në fushën e tregtisë, industrisë së rëndë dhe minierave”, ka thënë Cliff.

Ai ka vënë në dukje se në Kosovë nuk ekziston ende një klimë e mirë që të tërheqë biznesmenët e huaj që të investojnë në industrinë e rëndë të Kosovës.

Top Channel