Belgjikë, mbetet në burg vrasësi i fëmijëve

18/02/2013 20:20

Një gjykatë belge ka refuzuar lirimin para kohe të vrasësit të fëmijëve, Marc Dutroux, pavarësisht insistimit të tij se nuk përbënte më rrezik dhe se mund të qëndronte në arrest shtëpie.

Zërave kundër lirimit të parakohshëm të tij iu bashkua më herët edhe ai i nënës së tij. 78-vjeçarja Jeannine Dutroux u shpreh e bindur se, po të lihej i lirë, pedofili mund të godiste sërish.

“Jam e sigurtë se do të fillojë sërish. Marku nuk duhet nxjerrë nga burgu tani për faktin e thjeshtë që sërish kërkon t’ua atribuojë të tjerëve përgjegjësinë e asaj që ka bërë. Në shpirt ai vazhdon të mbetet një agresor, siç e ka provuar përgjatë gjithë jetës së vet”, tha Jeannine Doutroux.

56-vjeçari ka marrë dënim me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe përdhunimin e 6 vajzave, katër nga të cilat ndërruan jetë.

Dutroux u arrestua ne 1996-ën dhe sipas ligjit belg, ata që kanë marrë një dënim të tillë mund të lirohen pas 15 viteve të kaluara prapa hekurave, nese nuk konsiderohen më një rrezik për shoqërinë. Rasti i tij indinjoi Belgjikën jo vetëm për natyrën e krimeve, por edhe për mangësitë e mëdha të hetimit policor.

Efektivët e policisë e kishin kontrolluar shtëpinë e tij ndërkohë që Dutroux mbante aty dy viktima tetëvjeçare, por nuk kishin zbuluar asgjë të dyshimtë. Vajzat u gjetën vetëm kur ishte tepër vonë për to; të dyja kishin vdekur nga uria.

Top Channel