Skënderbeu fiton në Fier, +7 nga Teuta

17/02/2013 00:00

Skënderbeu është rikthyer te fitorja në Fier, pas atij dështimi të parë në kampionat me Vllazninë, javën e kaluar. Goli i mbrojtësit Bicaj, shënuar që në pjesën e parë, u ka mjaftuar kuqebardhëve për të dalë me tri pikë nga “Loni Papuçiu” dhe për të rikthyer diferencën me Teutën në 7 pikë.

Një goditje tjetër fundosëse për Apoloninë, që vijon të kalojë nga humbja në humbje, duke i shuajtur thuajse përfundimisht shanset për mbijetesë në Superiore. Fierakët e Demirajt tashmë mbyllin klasifikimin, teksa një ditë më parë janë parakaluar edhe nga Tomori.

Tirana kishte udhëtuar drejt Peqinit për t’u ballafaquar ndaj një tjetër skuadre, që rrezikon mbijetesën. Shkumbini i Kristaq Miles e sheh veten në pozita kritike, ndaj duhej të reagonte shpejt, pas humbjes pararendëse në Durrës, dhe të mos lëshonte asgjë në fushën e vet.

Në fakt e ka bërë këtë gjë, teksa penalltia e fituar nga Vangjel Mile është shndërruar në gol nga Mustafaj, duke u dhënë bardhekaltërve tri pikë me shumë vlera. Bardheblutë e Alban Tafajit dëshmojnë sërish se janë larg emrit të tyre, teksa transfertat mbetet jo pak problem.

Flamurtari ka fituar në Laç këtë fundjavë, këtë herë për kampionat me rezultatin 1-2. Bylisi, që prodhoi atë “teatër” të shëmtuar në mesjavë, është ndalur këtë herë në barazim 0-0 me Kastriotin.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta