Pakistan, 80 të vrarë nga autobomba

17/02/2013 09:50

Rëndohet bilanci i një atentati ndaj shiitëve në qytetin pakistanez të Kuetës, me numrin e viktimave që ka arritur në 80.

Ishte policia pakistaneze ajo që zbuloi të dielën gjetjen e disa trupave të tjerë të pajetë në rënojat e një pallati të shkatërruar nga shpërthimi i ndodhur.

Të plagosurit llogariten mbi 200, disa prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

Bomba është shpërthyer në distancë përmes një telekomande, në një zonë të dominuar nga banorë shiitë, tha një oficer policie, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një sulm sektar me objektiv komunitetin në fjalë.

Shpëthimi, i cili shënjestroi një treg të populluar në një lagje të qytetit të ndodhur në krahinën e trazuar të Baluçistanit, vetëm sa rrit tensionet dhe luftën ndërfetare në vend.

Muajin e kaluar të paktën 92 persona u vranë në një sulm me bombë dhe 121 të tjerë u plagosën kur atentatori vetëvrasës e hodhi veten në erë në një klub të populluar bilardoje, po në zonën me komunitet shiit.

Top Channel