Mourinho, 100 ndeshje te Reali, feston me fitore

17/02/2013 22:00

Trajneri portugez, Jose Mourinho, ka drejtuar për të 100-tën herë nga pankina ekipin e Realit të Madridit, në ndeshjen e zhvilluar të dielën ndaj Rayo Vallecano-s, takim që u fitua nga madrilenët me rezultatin 2-0.

“Special One” shënon shifra rekord nën drejtimin e “merengues”-ve: plot 76 fitore, kundrejt 13 barazimeve dhe 11 humbjeve, të cilat e ngjisin direkt në vendin e parë, gjatë gjithë historisë së klubit nga “Santiago Bernabeu”.

Siç ka ndodhur shpesh gjatë periudhës së drejtimit të tij në Spanjë, portugezit i duhet gjithnjë të luftojë për të kapur Pep Guardiolën. Në 100 ndeshjet e para si trajner i Barcelonës, Pep, i cili sezonin e ardhshëm do të drejtojë Bayern Munchen, kishte siguruar 79 fitore.

Mbetet për t’u parë nëse “Mou” do të vazhdojë më tej historinë e tij me Realin, pas fundit të këtij sezoni. Raporti i tij me klubin e drejtuar nga Florentino Perez ka pësuar krisje, por vetëm në rast të fitimit të ndonjë titulli të rëndësishëm, 50-vjeçari nga Setubal mund të rikonfirmohet.

Sa i përket ndeshjes, pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e dyfishtë të madrilenëve, pas golave të Alvaro Morata (3’) dhe Sergio Ramos (12’), teksa ky i fundit ka lënë fushën e lojës 6 minuta më pas, për shkak të ndëshkimit me dy kartona të verdhë radhazi.

Megjithatë, “Los Blancos” mbeten sërish 4 pikë larg Atletico Madrid dhe 16 larg nga katalanasit e Barcelonës.

Në ndeshjet e tjera të kampionatit spanjoll kanë fituar edhe Atletico Madrid e Valencia, 3-0 dhe 2-0, respektivisht ndaj Valladolid e Mallorca.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA