Barcelona vuan, por arrin të sigurojë një tjetër sukses në Primera Division.
Skuadra e Vilanovës mundi Granadën në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 2-1.
Ishin vendasit që dhane shenjën e parë në këtë ndeshje me Noliton, i cili u vu përballë Valdes, por ky i fundit nuk e lejoi ish-futbollistin e Barcelonës të dërgonte topin në rrjetë.
Në minutën e 26’, Igalo befasoi katalanasit duke shënuar golin e avantazhit për skuadrën e Granadës duke entuziazmuar të pranishmit në stadiumin Los Karmenes.
Barcelona arriti të barazojë në fillimin e pjesës së dytë kur shënoi me Lionel Messin, i cili shfrytëzoi një pritje jo të mirë të Tonjios ndaj gjuajtjes së Fabregas.
Pak çaste më vone, argjentinasi shënoi edhe golin e dytë për Barcelonën duke shënuar golin e 37 të tij në La Liga dhe të 301 me fanelën e Barcelonës.
Në minutat e fundit Granada pati një mundësi të artë për të barazuar rezultatin me Brahimin, por gjuajtja e këtij të fundit u përplas në rrjetën e jashtme.
Me këtë fitore, Barcelona u ngjit në kuotën e 65 pikëve dhe tashmë mund të mendojë për sfidën e Champions League me Milanin që do të luajë në mesjavë.
Fitore arriti edhe Malaga që mundi Athletic Bilbaon me rezultatin 1-0. Për skuadrën andaluziane mjaftoi goli i Javier Saviolës në minutën e 18 të ndeshjes për të marrë 3 pikë që e mbajnë atë në vendin e katërt në renditjen e përgjithshme me 42 pikë, ndërsa Athletic Bilbao pozicionohet e katërmbëdhjeta. Në ndeshjen tjetër të kampionatit spanjoll, Getafe mundi Celta Vigon me rezultatin 3-1.
Top Channel