Në ndeshjen e fundit të javës së 25-të të Serisë A, një super Fiorentinë ka dominuar për 90 minuta ndaj Interit, duke e shkatërruar me rezultatin 4-1.
Në “Franchi”, ekipi “viola” kaloi dy herë në avantazh gjatë pjesës së parë, falë gjuajtjes me kokë të Ljajic (13’) dhe një gjuajtjeje të fuqishme me të djathtën nga Jovetic (35’).
Në pjesën e dytë përsëritet e njëjta rrjedhë ngjarjeje, me malazezin që shënon dopietën personale (50’) dhe serbin që e imiton (53’). Veçse në fund të saj, Cassano realizon golin e nderit për zikaltrit (87’).
Një episod i pakënaqshëm i ka ndodhur Marek Hamsik. Menjëherë sapo ka dalë nga stadiumi, pas ndeshjes Napoli-Sampdoria 0-0, sllovaku i është drejtuar aeroportit me makinën e tij për të marrë të shoqen.
Pak pasi kishte dalë në rrethinat e qytetit (jashtë unaze), sipas Radio Marte, është ndalur nga 3 individë, të cilët e kanë detyruar të ulë xhamin e makinës, duke i kërkuar t’u jepte orën e dorës, por ky moment është shoqëruar edhe me nxjerrjen e armës.
Hamsik u është bindur dhe më pas, i shokuar, ka lajmëruar policinë për të denoncuar atë ç’kishte ndodhur.
Vjedhja, e studiuar mirë sipas hetuesve, është kryer nga 3 persona, të cilët kanë vepruar me fytyra të mbuluara në rrugën Cinthia. Hamsik, ende me tutat sportive të Napolit, i ndodhur para rrezikut të armës, u ka dhënë menjëherë orën.
Më pas një patrullë e policisë në hyrje të autostradës e ka shoqëruar deri në aeroport. Futbollisti nuk e ka kryer ende denoncimin, ndërsa në Twitter, motra e tij ka reaguar ashpër: “Është hera e tretë që i ndodh!!! Shumë gjë e shpifur!!”.
Hamsik u aktivizua në ndeshjen Napoli-Sampdoria të përfunduar 0-0, një mundësi e sfumuar kjo për “partenopei”-t, që nuk mundën të shkurtonin distancën me Juventusin e vendit të parë, pasi këta të fundit u mposhtën 1-0 në “Olimpico” të Romës, një ditë më parë. Diferenca mes dy vendeve të para mbetet sërish 4 pikë.
Të dielën janë luajtur edhe këto ndeshje: Catania-Bologna 1-0, Genoa-Udinese 1-0, Pescara-Cagliari 0-2 dhe Torino-Atalanta 2-1.
Top Channel