Vllaznia fiton “derbin e veriut”

16/02/2013 20:40

Vllaznia, në 94-vjetorin e krijimit të saj, ka arritur të fitojë në këtë fundjavë të Superligës përballë Kukësit, në një “Loro Boriçi” të tejmbushur njësoj si në kohët e lavdishme.

Vetëm 10 minuta lojë i kanë mjaftuar shkodranëve për të zhbllokuar ndeshjen. Pas një goditjeje këndi, Kastriot Rexha shënoi në portën e Halilajt duke vulosur rezultatin.

Skuadra e drejtuar tashmë nga Bushati, u duk e ekuilibruar përballë një kundërshtari të denjë. Kuksianët e drejtuar nga Cungu tentuan më shumë në pjesën e dytë për të barazuar, ndërkohë që edhe Vllaznia nuk mbeti prapa.

Tentativat e shumta shërbyen më shumë për të argëtuar ata mijëra tifozë të pranishëm në stadium, pasi në rezultatin përfundimtar nuk arritën të ndikonin.

Kjo fitore i ngjit në vendin e 6-të shkodranët, të cilët regjistrojnë fitoren e dytë në dy ndeshjet e kampionatit, nën drejtimin e trajnerit Artan Bushati.

Dy gola nga Daniel Xhafaj i garantuan një fitore komode, 2-0, Teutës ndaj Luftëtarit, në sfidën tjetër të javës së 15-të së Superligës.

Xhafaj realizoi në minutat ‘54 dhe ‘80, duke u ngjitur në kuotën e shtatë golave dhe njëkohësisht duke ngushtuar përkohsisht në 4 pikë diferencën me Skëndërbeun kryesues, që luan ditën e diel në Fier përballë Apollonisë.

Nga ana tjetër, Luftëtari pësoi humbjen e dytë rresht në dy ndeshjet e para të fazës së dytë. Në ndeshjen tjetër në Berat, Mario Muzhaji shënoi golin më të rëndësishëm të karrierës së tij, duke i dhënë fitoren e parë sezonale Tomorit, që drejtohet nga i ati, Madrid Muzhaj.

Tomori fitoi 1-0 ndaj Besës, në një takim ku u dhanë tre kartonë të kuq, dy për beratasit dhe një për kavajasit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA