Pakistan, atentat në Kueta, 47 të vrarë

16/02/2013 17:10

Të paktën 47 persona janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në një sulm me bombë të kryer në një treg të populluar në qytetin Kueta të Pakistanit.

Oficeri i policisë lokale, Wazir Khan Nasir tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se të paktën 200 persona janë plagosur dhe bilanci i viktimave mund të rëndohet.

Bomba është shpërthyer në distancë përmes një telekomande, në një zonë të dominuar nga banorë shiitë, tha oficeri, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një sulm sektar me objektiv komunitetin në fjalë.

Kueta është kryeqyteti i provincës së Baloçistanit, që ndodhet në kufi me Iranin dhe Afganistanin dhe është përgjakur nga rebelimi separatist dhe dhuna sektare.

Muajin e kaluar të paktën 92 persona u vranë në një sulm me bombë dhe 121 të tjerë u plagosën kur atentatori vetëvrasës e hodhi veten në erë në një klub të populluar bilardoje, po në zonën me komunitet shiit.

Grupi militant sunit Lashkar e Jhangvi mori përsipër përgjegjësinë për sulmin e 10 janarit, që ishte dhe më i rëndi i kryer vitet e fundit në Pakistan.

Komuniteti shiit u irritua deri në atë pikë saqë refuzoi të varroste viktimat derisa të merrte mbrojtje dhe siguri nga shteti, të cilat mesa duket nuk i ka marrë as deri tani.

Pas bisedimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e komunitetit shiit në Kueta, kryeministri pakistanez Raja Pervez Ashraf shkarkoi guvernatorin e Baloçistanit.

Top Channel