Flamujt e shteteve që njohën pavarësinë e Kosovës gjatë 5 vjetëve do të zënë vend në monumentin simbol të pavarësisë, “Newborn”.

Autori i obeliskut të pavarësisë, Fisnik Ismajli, e ka marrë këtë iniciativë vetëm pak ditë pasi Këshilli Organizativ për shënimin e Pesëvjetorit të Pavarësisë vendosi që t’i kthente ngjyrën e verdhë.

Ai thotë se për këtë nuk ka marrë leje, sepse një gjë të tillë ia jep e drejta e autorit, ndërsa shpjegon se qëllimi i këtij aktiviteti është falenderimi i shteteve që kanë njohur Kosovën.

“Kam kërkuar për 5 vjet për ta lyer ndryshe dhe jam refuzuar. Këshilli Organizativ merr një vendim pa më konsultuar mua. Ai ka injoruar kërkesën time dhe e ka lyer me një ngjyrë që po na kthen mbrapa 5 vjet. Newborn-i duhet lyer çdo vit ndryshe për të dhënë një porosi të re”, deklaron Ismajli.

Këtij aktiviteti iu bashkangjitën edhe të rinj që ishin ftuar nëpërmjet rrjetit social “Facebook” nga Ismajli, i cili thotë se disa herë ka kërkuar që të ndryshohet pamja e obeliskut, por kjo nuk ka ndodhur më herët.

“Kjo tregon dy porosi, përparimin dhe falenderimin për shtetet që na kanë njohur, por dhe se kjo është e vetmja arritje e Kosovës, meqenëse situata këtu është “shumë e mirë” dhe nuk na kanë njohur as 100 shtete. Ajo i bën thirrje qeverisë që të punohet më shumë për njohje të tjera”, shton Ismajli.

Në Këshillin Organizativ për shënimin e Pesëvjetorit, të kontaktuar nga Top Channel nuk kanë treguar nëse do të ndërhyjnë prapë, vetëm se kanë thënë se kërkesa për t’u ngjyrosur me të verdhë ky obelisk ka qenë e Ismajlit dhe e kompanisë së tij, gjë që është mohuar nga vetë ai.

Ismajli ka treguar se iniciativa e tij nuk ka të bëjë me subjektin ku është anëtar, lëvizjen Vetëvendosje. Sipas tij, 98 flamujt në Newborn do të qëndrojnë të vendosur deri në përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës.

Top Channel