Ish-kongresmeni akuzohet për mashtrim

16/02/2013 02:30

Një ish-kongresmen dhe djali i një lideri të shquar të të drejtave civile është akuzuar për shpenzimin e fondeve të fushatës për qëllime vetjake.

Jesse Jackson Jr (Junior) nga Illinois akuzohet për keqpërdorimin e 750 mijë dollarëve. Ai dhe gruaja e tij, Sandi Jackson, që akuzohen për evazion fiskal për çështjen në fjalë, priten të pranojnë akuzat, raportojnë mediat.

Jackson, një demokrat 47-vjeçar, dha dorëheqjen në nëntor, pasi pranoi se po trajtohej për çrregullime dypolare.

“Nuk kam ç’të justifikoj për sjelljen time dhe do të mbaj përgjegjësi për vendimet e pahijshme dhe gabimet që kam bërë”, tha Jackson në një njoftim.

Jackson akuzohet në Gjykatën Federale të Washington DC, për konspiracion, mashtrim dhe bërjen e deklaratave të rreme. Hetuesit thanë se Jackson kishte paraqitur raporte false të taksave, të cilat kishin minimizuar së tepërmi detyrimet e çiftit.

Prokurorët thanë se nga 2007-2009, Jackson përdori fonde, të dhuruara për fushatën e tij të dytë, për të blerë një orë floriri Rolex me vlerë 43,350 dollarë, katër pelerina dhe gëzofë me kapuç me vlerë 5,150 dollarë dhe rreth 9,588 dollarë për mobiljet e fëmijëve.

Ai akuzohet gjithashtu për mos raportimin e 28,500 dollarëve dhurata e huazime në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ai shërbeu që prej 1995-s.

Jackson, djali i liderit të të drejtave civile në Chicago, Rev Jesse Jackson, mund të ndëshkohet maksimumi me 5 vite heqje lirie, ndërsa e shoqja e tij deri në 3 vjet, sipas udhëzimeve të federalëve.

Top Channel