Test i ri bërthamor nga Korea e Veriut?

15/02/2013 15:40

Korea e Veriut po modernizon të paktën dy prej qëndrave të saj të lëshimit të raketave, raportoi të premten “BBC”.

Rrjeti mediatik citoi disa ekspertë amerikanë, të cilët bazuan përfundimet e tyre në fotografimet satelitore. Sipas vlerësimeve, ky mund të jetë një sinjal i përgatitjes së një testimi të ri bërthamor, në gjendje për të zhytur të gjithë Azinë Lindore në një krizë të thellë sigurie.

Aktivitetet rreth qëndrave të lëshimit treguan gjithashtu një implikim të mundshëm të Iranit, që mund të ketë dërguar në Kore disa prej specialistëve të tij bërthamorë.

Peniani lëshoi një satelit nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë në muajin dhjetor, ndërsa realizoi një testim të nëndheshëm bërthamor disa ditë më parë, duke provokuar një reagim të ashpër të Këshillit të Sigurimit në OKB-së, përfshirë Kinës, aleatit të vetëm të madh të vendit të izoluar komunist.

Megjithatë, edhe më shqetësues se vetë testimet, për OKB-në është fakti se pas një serie provash të dështuara, Peniani tregoi në muajt e fundit shënja të qarta përparimi të kapaciteteve ushtarake dhe atyre teknologjike.

Aktualisht, besohet se Korea e Veriut disponon 5-10 bomba bërthamore, por po punon për të ndërtuar raketa me rreze të gjatë, që siç ka pranuar vetë Peniani, “të jenë në gjendje të godasin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Top Channel