“Rebelimi” i grave duke kërcyer

15/02/2013 01:20

Nisma botërore “Ngritja e një miliardëve” mbërriti në parlamentin britanik dhe tërhoqi edhe mbështetjen e yjeve si Thandie Newton apo komedianes Ruby Wax.

Newton, fituese e çmimit Bafta, lexoi në sheshin përpara ndërtesës së parlamentit një poezi të themelueses së lëvizjes “One billion rising”, Eve Ensler.

“Ngrini krahët tuaja, ngrihuni një miliardë”, tha aktorja, ndërsa ftoi mbështetësit e eventit të recitonin bashkë me të. Ligjvënësit britanikë janë duke debatuar mbi një mocion, që i bën thirrje qeverisë ta bëjë të detyrueshme edukatën e marrëdhënies në shkolla, një propozim që ka mbështetje të gjerë.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Yvette Cooper, përmendi faktin që në Britani, një në pesë thirrje drejtuar shërbimit të urgjencës, ka të bëjë me dhunën në familje.

109 tullumbace në ngjyrë të purpurt u lëshuan për çdo grua të vrarë nga partneri i saj në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë vitit 2012. Wax rrëfeu se e mbështet lëvizjen globale për shkak se edhe vetë është rritur në një shtëpi, ku abuzimi nuk mungonte.

“Unë vij nga një ambjent, që e njihte mirë dhunën në familje dhe e kuptoj fare mirë, se ka njerëz që mendojnë se e kanë kapërcyer një eksperiencë të tillë, por ekziston gjithmonë rreziku që t’ia përcjellin fëmijëve. Jo domosdoshmërisht dhunën, por kujtimin e saj gjithmonë të pranishëm”, tha Ruby Wax, aktore komike.

Një miliardë aktiviste në çdo cep të botës; kjo ishte nisma e lëvizjes globale të Ensler, me rastin e 14 shkurtit, apo V-day, Valentini dhe fitorja, siç e ka quajtur ajo.

Dita për t’i thënë mjaft dhunës, keqtrajtimeve fizike, gjymtimeve gjenitale, inçestit, skllavërisë seksuale. Zgjohu e kërce nuk është një betejë e grave kundër burrave.

Në sheshet e qyteteve të ndryshme në mbarë planetin, ata që iu bashkuan kësaj nisme krijuan idenë e fleksibilitetit të trupave, jo për shkak të dhunës, por për të kërcyer, për të qenë pjesëmarrës e për të ndërgjegjësuar.

Një gjest që, sipas Enslerit, i kundërvihet tragjedisë. Ndër më domethënëset ishin tubimet në Indi, ku ende është i freskët rasti fatkeq i përdhunimit në grup të një studenteje në muajin dhjetor, e cila ndërroi jetë për shkak të dëmtimeve të mëdha që kishte pësuar.

“Ngritja e një miliardëve” edhe në KE
Komisioneri Fule: Të çrrënjosim dhunën ndaj grave

Komisioneri për zgjerim, Stefan Fule, mori pjesë në “Ngritjen e një miliardëve”, që u organizua në ambjentet e Komisionit Europian në Bruksel, ndërsa shoqëronte ministren turke për Familjen dhe Politikat Sociale, Fatma Shahin.

“Jam shumë i lumtur, që ndërtesa Berlaymont e Komisionit Europian është vendi, që iu shtua qindrave e mijërave përreth botës, në këtë ditë të veçantë Shën Valentini, për të dëshmuar sa e rëndësishme është, jo vetëm ta dënosh, por edhe të çrrënjosësh dhunën kundër grave dhe vajzave”, tha Stefan Fule.

Shfaqja në Berlaymont u organizua nga lobet europiane të grave, në bashkëpunim me platformën e Brukselit për “Ngritjen e një miliardëve”, kundër dhunës ndaj grave, siç synon manifestimi.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel