Deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përvjetori i pestë dhe simboli i shtetit janë bërë bashkë në pullën postare të lançuar nga Posta e Kosovës në pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Në ceremoninë solemne për këtë rast morën pjesë drejtues të Postës së Kosovës dhe ministra të kabinetit qeveritar. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha se kjo pullë postare dërgon mesazhin e paqes dhe vlerave anëkend botës.

“Mesazhe të paqes, stabilitetit dhe të shtetit të ri, që diti në momente të caktuara të vlerësojë punën e shumë gjeneratave. Para 5 vitesh, kur deputetët e Parlamentit të Kosovës shpallën pavarësinë, ata jetësuan ëndrrën e shumë gjeneratave”, deklaroi Beqaj.

“Për pullat janë gati imazhe për ditën e pavarësisë, lindjen e shtetit evropian, ngritjen e institucioneve, për historinë e kombit shqiptar dhe arritjet e tij”, tha nga ana tjetër drejtori i postës, Sejdi Hoxha.

Kjo pullë postare është punuar nga dizajneri Lirion Kadriu, në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe nën patronazhin e drejtorit të postës. Me lëshimin e saj nis zyrtarisht edhe axhenda festive për 5-vjetorin e pavarësisë.

Top Channel