Kolumbi, FARC mban ende disa pengje

15/02/2013 04:00

Grupi më i madh rebel në Kolumbi, FARC, ka shtyrë për më vonë lirimin e 3 pengjeve, pasi, sipas raportimeve, akuzon prezencën e disa mediave në zonën ku ata ndodhen.

Presidenti Juan Manuel Santos e konsideroi këtë si një “falje të papranueshme” dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të personave.

Rebelët majtistë kishin deklaruar se do të lironin 2 policë gjatë të enjtes dhe një ushtar të shtunën. Pavarësisht mbajtjes së bisedimeve për paqe, tensionet janë rritur sërish, që kur FARC i dha fund njëanshmërisht armëpushimit, muajin e kaluar.

Të mërkurën, të paktën 7 ushtarë kolumbianë u vranë dhe 5 të tjerë u plagosën në përplasjet me rebelët e majtë.

FARC planifikonte të lëshonte 2 policët dhe një ushtar në rajonin e Cauca-s, por prezenca e madhe e mediave bëri që ata të tërhiqeshin nga operacioni i tyre, siç njoftoi një përfaqësues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për gazetarët.

Presidenti Santos reagoi i irrituar ndaj këtij veprimi. “Askush nuk e kupton këtë veprim, që justifikohet me prezencën e disa mediave, por kjo nuk është diçka nën kontrollin e qeverisë. Ata vazhdojnë të privojnë policët nga liria e tyre”, tha ai.

Rebelët nuk kanë bërë të ditur ndonjë datë të re për lirimin e pengjeve, sipas Kryqit të Kuq, e cila kryesonte operacionin për lirimin e pengjeve.

FARC dhe qeveria janë duke biseduar në Kuba, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit të tyre gati 50-vjeçar. Por, të mërkurën pati disa viktima, si pasojë e përplasjes së ushtrisë me FARC në Caqueta, një tjetër dhunë e përmasave madhore, që pas prishjesh së njëanshme të armëpushimit.

Qeveria kolumbiane tha se do t’i jepte fund operacioneve ndaj FARC, vetëm kur të firmosej një marrëveshje për paqe.

Top Channel