“G20” mohon “luftën valutore”

15/02/2013 15:25

Ministrat e Financave të 20 vendeve më të industrializuara të botës përgënjeshtruan spekulimet mbi një luftë aktuale të valutave, ndërsa po grumbullohen për takimin e Moskës.

Vlera e monedhës së një vendi ka një impakt të madh në bilancin tregëtar dhe ekziston frika se shumë shtete po zhvlerësojnë qëllimisht monedhën e tyre, në mënyrë që të rrisin eksportet, duke nxitur rritjen ekonomike.

Në muajt e fundit, jeni japonez ka pësuar një rënie të ndjeshme, favorizuar nga politikat e brendshme të Tokios zyrtarë, që synon t’i japë një hov ekonomisë së goditur nga recensioni dhe borxhet e larta.

Gjatë së njëjtës periudhë, monedha e përbashkët europiane “euro” është forcuar, pavarësisht disa qëndrimeve të kundërta brenda 17 vendeve të Eurozonës.

Më parë gjatë shkurtit, ministri francez i Financave, Pierre Moscovici, i kërkoi Bankës Qëndrore Europiane që të marrë masa të menjëhershme për të frenuar forcimin e euros, që rrezikon të dëmtojë eksportet.

Megjithatë, kreu i BQE-së, Mario Draghi, mohoi mundësinë e ndërhyrjes së BQE-së, duke thënë se “çdo ide për ndërhyrje në vlerën e monedhave është e papërshtatshme, e padobishme dhe disfatiste”.

Një qëndrim të ngjashëm ndau edhe ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schauble, që në një radio vendase deklaroi: “Ne nuk duam që shteti të ndërhyjë në normat e këmbimit valutor. Ne dëshirojmë që vlera e çdo monedhe të përcaktohet vetëm prej tregjeve”.

Të enjten, edhe ministri rus i Financave, Anton Siluanov, tha përpara mbajtjes së bisedimeve të “G20”-s se “Moska nuk favorizon imponimin e normave të caktuara të shkëmbimit valutor”.

Top Channel