Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule ka shprehur hapur zhgënjimin e tij me Maqedoninë, e mbërthyer nga kriza politike që vijon që prej ngjarjeve të dhunshme të 24 dhjetorit në Kuvend.

Nëpërmjet zëdhënësit, Fule deklaroi se ka hequr dorë nga vizita që synonte të bënte javën e ardhshme në Shkup, e cila ishte pjesë e përgatitjeve për raportin e pranverës.

“Si në deklaratat publike, ashtu edhe gjatë vizitave të zyrtarëve të lartë të BE-së dhe nga unë vetë, Bashkimi Europian dhe partnerët e tij kanë shprehur shqetësimin e tyre për ngjarjet e 24 dhjetorit dhe për mënyrën se si u menaxhuan ato. Jam i zhgënjyer nga mungesa e progresit për t’i dhënë fund ngërçit politik”, deklaroi Peter Stano, zëdhënës i komisionerit për Zgjerim.

Fule thekson më tej se situata aktuale e ka vënë në rrezik shansin e krijuar nga konkluzionet e dhjetorit për progres të mëtejshëm të Maqedonisë drejt BE-së.

Komisioneri i bën thirrje liderëve politikë në Shkup që të marrin urgjentisht përgjegjësitë dhe të gjejnë një zgjidhje, për të dëshmuar pjekurinë e institucioneve demokratike, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve.

Dy ditë më parë, opozita maqedonase njoftoi se ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet lokale për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për mbajtjen njëkohësisht edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Top Channel