Europol godet rrjetin e piraterisë kompjuterike

15/02/2013 00:00

Europol zbuloi një rrjet kompleks të piraterisë kompjuterike i ndërtuar për të përthithur para nëpërmjet një programi të posaçëm.

Sipas Europol përdoruesit e internetit që ndeshnin rastësisht me programin në fjalë, orientoheshin drejt faqeve pornografike me të mitur për pak minuta, më pas për të vazhduar aksesin në këto faqe ilegale kërkohej një pagesë.

Operacioni shtrihet në gjithë Europën. 11 persona me kombësi ruse, gjeorgjiane dhe ukrainase përfundian në pranga, ndërkohë që raportohet se vetëm në Spanjë janë mbi 1200 makineri kompjuterike të infektuara me programin në fjalë, numër ky që Europol mendon se është shumë herë më i lartë dhe i shtrirë edhe në vende të tjera të Europës.

Policia europiane saktësoi se mundi të mbyllë rrjetin, ndërkohë që po vazhdon hetimet për gjetjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rrjet piraterie kompjuterik.

Programi në fjalë kishte në përbërjë një virus që për herë të parë u zbulua në maj të  vitit 2011. Nëpërmjet këtij virusi, rrjeti kriminal siguronte siguronte edhe të dhëna konfidenciale të viktimave të tyre, përfshirë këtu numra kartash krediti e të tjera informacione personale.

Dyshohet se shuma e grabitur nëpërmjet kësaj metode të sofistikuar tejkalon 1 milion eurot.

Top Channel