Venezuelë, telashe të reja për Chavez

14/02/2013 15:45

Nuk mbarojnë telashet shëndetësore për Presidentin e Venezuelës, Hugo Chavez, i cili duhet t’i nënshtrohet kurave të reja pas disa ndërhyrjeve delikate për shkak të një tumori.

”Komandanti i është nënshtruar trajtimeve të mëtejshme, të cilat janë komplekse dhe të vështira, por po i përballon ato me shpirt luftarak”, deklaroi të enjten zëvendëspresidenti venezuelian, Nicolas Maduro.

”Bëhet fjalë për trajtime komplekse, por që duhet të sjellin fundin e telasheve të tij me sëmundjen”, shtoi Maduro.

Pavarësisht spekulimeve të shumta mbi gjendjen shëndetësore të Chavezit, Venezuela nuk ka publikuar asnjëherë kartelën e plotë shëndetësore të 58-vjeçarit, të konsideruar një sekret shtetëror.

Për shkak të gjendjes delikate, pas një ndërhyrje në Kubë në dhjetor, Chavez nuk ishte në gjendje të bënte betimin, në marrjen e mandatit të ri, në janar 2013.

Aktualisht, presidenti është duke u rikuperuar nga operacioni që realizoi në Havanë, ndërhyrje pas të cilës ai rrezikoi seriozisht jetën pas prekjes nga një infeksion në rrugët e frymëmarrjes, që detyroi mjekët ta vendosnin nën frymëmarrje artificiale për disa ditë me radhë.

Në deklaratat zyrtare, gjendja e presidentit konsiderohet si “e mirë” dhe ai vetë si “optimist, energjik dhe i paduruar” për rikthimin në krye të detyrës, por përpara nisjes në Kubë, Chavez pranoi për herë të parë se shanset e tij për mbijetesë nuk janë të sigurta.

Chavez, i cili drejton Venezuelën që prej vitit 1998, u prek nga një tumor në vitin 2011 dhe që prej atëherë ka bërë katër ndërhyrje dhe disa seanca kimio e radioterapie për t’u kuruar.

Gjate drejtimit te Chavez, ai eshte dalluar per nje sere reformash sociale dhe rishperndarjen e pasurise, duke ndikuar ne rritjen e mireqenies per klasat me te varfera te shoqerise, por nepermjet retorikes se tij nacionaliste dhe anti-globaliste, eshte identifikuar si nje prej kundershtareve kryesore te Shteteve te Bashkuara te Amerikes ne bote.

Top Channel