Seuli: Testi i Veriut, pa gjurmë radioaktive

14/02/2013 11:10

Ekspertë koreano-jugorë deklarojnë se nuk kanë konstatuar substanca radioaktive nga testi bërthamor i Koresë së Veriut, duke frenuar përpjekjet e Penianit për të vlerësuar projektin.

Tetë kampione janë analizuar por në to nuk është gjetur asgjë, deklaroi Komisioni për Sigurinë Bërthamore.

Gjetja e izotopeve të caktuara do të ndihmonte ekspertët në përcaktimin nëse në testin e pak ditëve më parë është përdorur aparaturë me bazë uraniumi ose plutoniumi.

Avionë dhe anije koreano-jugore u dërguan menjëherë në zonën e testit për të mbledhur kampione, ashtu sikurse avionë japonezë.

“Kur kanë kaluar dy ditë nga testi bërthamor i Veriut, komisioni ka përfunduar analizat mbi tetë kampione, por në to nuk janë gjetur izotope radioaktive”, deklaroi komisioni.

Koreja e Veriut deklaroi të martën se kishte kryer me sukses një test bërthamor nëntokësor, përmes një aparature në miniaturë por më të fuqishme.

Shpërthimi i simuluar shkkatoi një aktivitet sizmik në veri-lindje të vendit, që u ndje edhe në vende të tjera të rajonit të Azisë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi testin e tretë bërthamor të Penianit, pas atyre në vitet 2006 dhe 2009, dhe premtoi masa ndëshkuese.

Edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta kërkoi “veprime të menjëhershme” kundër Koresë së Veriut, vetëm 2 ditë pas testit të tretë të kryer nga vendi komunist.

Top Channel