Kaliforni, policia i jep fund “gjuetisë Dorner”

14/02/2013 04:20

Policia e Kalifornisë i ka dhënë fund kërkimeve për ish-policin e Los Angeles, i akuzuar për vrasje, një ditë pas gjetjes në një trupi të djegur në një kabinë, ku ai mendohet të ishte fshehur.

Sherifi i San Bernardinos, John McMahon, tha se policia nuk ka arritur ende të identifikojë kufomën, nëse është e Christopher Dorner apo jo, por “mendojmë se hetimeve i ka ardhur fundi në këtë pikë”, tha ai.

Dorner akuzohet për një vrasje të trefishtë javën e kaluar, teksa është përfshirë në një luftim me armë zjarri ndaj oficerëve, ndërkohë që këta po i afroheshin kabinës ku ai fshihej.

“Gjuetia njerëzore” u ndal mbrëmjen e së martës, kur policia u njoftua se një burrë, që i ngjante përshkrimit të Dornerit, kishte vjedhur një mjet në zonën e Big Bear Lake, një rezort skijimi rreth 130 km në lindje të Los Angeles.

Oficerët ndoqën të dyshuarin, i cili u fsheh në një kabinë të drunjtë në një zonë malore, të mbuluar nga bora. I dyshuari hapi zjarr ndaj policisë, ndërkohë që këta po e rrethonin, një skenë që Sherifi McMahon e cilësoi si zonë lufte.

“Edhe pse plumbat u vërtiteshin përballë, oficerët tanë nuk u dorëzuan”, tha ai gjatë një konference për shtyp të mërkurën. “Oficerët tanë janë heronj të vërtetë”.

Në këtë shkëmbim zjarri, detektivi Jeremiah MacKay u qëllua e më pas vdiq nga plagët, ndërsa një tjetër oficer, zëvendës Sherifi Alex Collins, u qëllua dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spital.

Top Channel