Siri, bilanci i viktimave shkon në 70 mijë

13/02/2013 15:40

Bilanci i luftës civile 2-vjeçare në Siri po shkon drejt 70 mijë viktimave, deklaroi komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay.

Deri në ditët e para të janarit, Pillay theksoi se 60 mijë sirianë ishin vrarë, por muaji i fundit i luftimeve ka qenë veçanërisht i përgjakshëm.

Për komisioneren, një bilanc i tillë është “me të vërtetë tronditës”.

Në fjalën e saj, gjatë publikimit të këtyre shifrave, Pillay akuzoi ashpër komunitetin ndërkombëtar, mbi paaftësinë që ka treguar për ndërhyrjen në favor të zgjidhjes së krizës siriane.

”Në vetëm dy vjet, është tejkaluar dhe me këto ritme, shumë shpejt rrezikon të dyshifohet bilanci i 50 mijë të vdekurve të SHBA-së, në konfliktin prej dy dekadash në Vietnam”, bëri një paralelizëm komisionerja.

Ndërsa luftimet vazhdojnë të ashpra në terren, me kryengritësit që po realizojnë prej disa ditësh një mësymje të gjerë mbi fortifikimet e ushtrisë së rregullt në kryeqytetin Damask, OKB konsiderohet si burimi më i saktë për verifikimin e dëmeve në vend.

Fraksione të ndryshme të kryengritësve dhe organziata të tjera japin raporte të vazhdueshme mbi viktimat në terren, por OKB ka krijuar një regjistër të përgjithshëm, ku bashkohen të gjithë informacionet dhe publikohet një raport sa më afër të vërtetës.

Në fjalën e saj, Pillay paralajmëroi se bilanci mund të jetë realisht edhe më i lartë se 70 mijë viktima, pasi besohet se shumë vdekje të ndodhura në vend nuk arrijnë të regjistrohen.

Përveç të vdekurve, numri i të plagosurve vlerësohet edhe më i lartë, midis 100-150 mijë sirianë, me një milionë të tjerë që janë vendosur në rrezik direkt nga uria, mungesa e ujit të pijshëm dhe medikamenteve.

Mbi 600 mijë sirianë janë refugjatë në vendet fqinje dhe rreth dy milionë të tjerë kanë braktisur shtëpitë për t’u vendosur në zona më të sigurta brenda vendit.

Siria është një shtet me një popullsi të përgjithshme prej rreth 22,5 milionë banorësh.

Top Channel