Ata që nxjerrin ligje, pritet që brenda këtij viti të miratojnë edhe një ligj për veten, por edhe për ish-kolegët e tyre dhe për ata që do të bëhen deputetë.

Projekt-ligji për të Drejtat dhe Privilegjet e Deputetëve është duke u diskutuar me palët e interesuara dhe një gjë e tillë u bë edhe gjatë së mërkurës. Njëra nga pikat që më së shumti është diskutuar është se sa do të jetë pensioni i një deputeti, kur ai të mbushë moshën e cila nga ana e saj ende nuk është përcaktuar.

Gjithashtu, deputetët me një mandat të marrin 30 përqind të pagës si pension, atyre me dy mandate u rritet me 5 përqind, ndersa 40 përqind e pagës si pension u takon deputeteve me 3 mandate.
 
“Pagat aktuale e një deputeti është 1294 euro neto, ndërsa me draftligjin në diskutim është 30% i asaj page që i bie rreth 400 euro. Këtë do ta përfitojnë vetëm kur ta mbushin moshën e pensionit që është mosha 60-vjeçare që parashihet në projektligj”, deklaron Armend Zemaj, Kryetar i Nënkomisionit Parlamentar për Mandate dhe Imunitete.
 
Këtë pikë e ka kundërshtuar përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se pensioni i deputetit duhet të jetë i ngjashëm me atë të qytetarëve të tjerë, që i bie të jetë shumëfish më i ulët, por nuk është pajtuar ish deputeti i disa legjislaturave, Mark Krasniqi.

Pjesë e këtij ligji po kërkojnë të bëhen edhe deputetët e viteve 90-ta, të paraluftës. Ilaz Ramajli ka qenë kryetar i Kuvendit gjatë viteve 1990-1992. Ai kujton se nga kjo periudhë momentalisht janë 87 delegatë që shpallën Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 2 korrik 1990, dhe se ata duhet të bëhen pjesë e ligjit. Sipas Zemajt kjo pritet edhe të ndodhë pasi ekziston gatishmeria e deputetëve.

“Disponimi i deputetëve është që të përfshihen edhe legjislaturat e paraluftës që nënkupton delegatë e vitit 1990 që e shpallën kushtetutën e Kaçanikut dhe deputetët e vitit 1992 dhe 98 është një e drejt që iu takon edhe me ligj edhe me kushtetutë”, deklaroi Armend Zemaj.

Kuvendi i Kosovës më 4 qërshor të 2010-ës miratoi Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, por ishte bllokuar nga Gjykata Kushtetuese, sepse ishte vlerësuar ndër të tjerash se deputetëve u mundësohet të kenë pensione që janë më të favorshme se çdo përfitim tjetër pensional për qytetarët. Atëkohë ishte paraparë që deputetët të mund të marrin si pension 50 përqind të pagës së tyre.

Top Channel