Opozita maqedonase ka vendosur të bojkotojë zgjedhjet lokale për shkak të refuzimit të kërkesës së saj për mbajtjen njëkohësisht edhe të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vendimi është marrë tre ditë para skadimit të afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale, që janë parashikuar të mbahen më 24 mars.

“Vendimi ynë është i qartë dhe i pandryshueshëm. Pa marrëveshje politike për dalje nga kriza, që nënkupton edhe verifikimin e legjitimitetit të institucioneve të rrënuara brutalisht nga ana e këtij pushteti, ne nuk do të marrim pjesë në zgjedhjet lokale. Vendimi është sjellë me konsensus në mbledhjen e këshillit qëndror të partisë”, ka deklaruar Andrej Petrov, sekretar i përgjithshëm i LSDM-së.

Vendimi i LSDM-së vjen një ditë pas deklaratës së kryeministrit Nikolla Gruevski, se zgjedhje të parakoshme parlamentare nuk do të ketë.

Gruevski për krizën politike në vend akuzoi opozitën, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që për shkak të kësaj krize, Maqedonia të marrë raport negativ nga KE-ja apo edhe të humbë statusin e vendit kandidat.

Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, pas takimit me drejtorin e Drejtorisë për Zgjerimin e BE-së, Stefano Sanino, ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakoshme parlamentare.

Ai po ashtu ka theksuar se bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës do të dëmtojë rëndë proçesin e integrimit të Maqedonisë.

Top Channel