
Shqipëria, Greqia dhe Italia nënshkruan në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik.
U firmos të mërkurën në Athinë marrëveshja për ndërtimin e gazsjellësit trans-adriatik.
Marrëveshja u nënshkrua prej ministrit të Jashtëm grek, Dhimitris Avramopulos, zv-kryeministrit shqiptar, Edmond Haxhinasto, dhe ministrit italian të Infrastrukturës, Korrado Pasera.
Për të theksuar rëndësinë që Greqia i jep këtij projekti, ishte edhe kryeministri grek, Andonis Samaras.
Duke folur për të pranishmit, Samaras theksoi rëndësinë e këtij projekti për pavarësinë energjitike të Europës. Samaras ftoi vendet e rajonit të bashkëpunojnë në të gjithë fushat dhe të lënë mënjanë problemet që kanë mes tyre, për t’i dhënë kështu prosperitet gjithë rajonit.
“Bëjmë sot një hap të rëndësishëm. Japim sot mbështetjen për një vepër të rëndësishme për Greqinë, por edhe për gjithë Europën. Rëndësia e kësaj vepre vë themelet e sigurisë energjitike të Europës. Kjo i jep vendit tonë një vend të rëndësishëm në hartën energjitike në rajon. Të tre vendet duhet të shfrytëzojnë në maksimum këtë rast për bashkëpunim. Të gjejmë gjuhën dhe të kalojmë mosmarrëveshjet dhe problemet me njëri-tjetrin dhe të hapim një faqe të re në bashkëpunimin rajonal. Kjo marrëveshje i hap rrugën bashkëpunimit në shumë fusha: tregti, bujqësi, industri, turizëm etj.”, u shpreh Samaras.
Edhe ministri i Jashtëm grek, Dhimitris Avramopulos, theksoi rëndësinë që ky projekt ka për Greqinë.
“Sot, tre vendet shprehin vullnetin për këtë vepër madhështore. Ky projekt hap rrugë të reja për zhvillimin rajonal. Greqia po bëhet kështu një faktor në rajon për transportin e energjisë drejt Europës. Ai bashkon Kaspikun me Europën. Me firmosjen e kësaj marrëveshje bëjmë rajonin një zonë mikpritëse për investime të huaja. Kjo marrëveshje hedh direkt në zonë 1,5 miliardë, por edhe shumë investime indirekte”, tha Avramopulos.
“Theksoj sërish mbështetjen e qeverisë shqiptare për TAP. Kjo është një marrëveshje për sigurinë dhe prosperitetin e gjithë rajonit tonë”, tha zv-kryeministri shqiptar, Haxhinasto.
Duke kthyer kokën në zhvillimin e tregut të gazit gjatë këtyre viteve të fundit, ministri italian i Infrastrukturës shpreh bindjen se TAP ndihmon në krijimin e një tregu gjithë-europian të gazit, duke qenë shumë i varur nga çmimi i naftës.
“Italia mbështet TAP. Kjo është vepër strategjike për gjithë Europën”, tha Korrado Pasera.
Në vazhdim, zoti Haxhinasto pati një takim kokë më kokë, ku, sipas informacioneve të Top Channel, u biseduan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, ku midis të tjerash ishte çështja e toponimeve në pasaportat shqiptare, problemet me transportin ndërkombëtar të udhëtarëve etj.
KE mirëpret marrëveshjen për TAP-in
Komisioneri europian për Energjinë, Günther Oettinger, mirëpriti firmosjen e sotme të marrëveshjes ndërqeveritare trepalëshe, si një hap thelbësor në përgatitjen e projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP).
“Ky gazsjellës ndihmon lidhjen e tregjeve të gazit të Italisë dhe Greqisë dhe sjell gazin në Shqipëri dhe potencialisht tek fqinjë të tjerë të Komunitetit tonë të Energjisë. Mund të jetë një prej përbërësve të parë të Korridorit Jugor të Gazit që synon lidhjen direkte të Bashkimit Europian me burimet e pasura të gazit në Rajonin Kaspik”, vlerësoi nëpërmjet një komunikate për shtyp Oettinger.
Gazsjellësi mes Italisë, Shqipërisë e Greqisë ka një kapacitet fillestar prej 10 bilionë metra kub gaz në vit. Marrëveshja e arritur sot në Athinë përcakton kuadrin ligjor për TAP, përfshin një sërë angazhimesh nga Greqia, Italia e Shqipëria dhe do të sigurojë që tre shtetet të bashkëpunojnë në zhvillimin e këtij gazsjellësi.
Top Channel