Francë, kriza godet prodhuesit e makinave

13/02/2013 15:55

Prodhuesi më i madh francez i automobilëve dhe një prej kompanive më të mëdha të kësaj fushe në botë, grupi “PSA Peugeot Citron”, regjistroi humbje rekord prej pesë miliardë eurosh në vitin 2012.

Këto të dhëna vijnë pak kohë pasi prodhuesi tjetër i madh në vend, “Renault”, publikoi rënie drastike në fitimet e tij për vitin e shkuar.

Në 2011-n, pavarësisht krizës ekonomike, “Peugeout-Citroen” kishte arritur të regjistronte një fitim prej 588 milionë eurosh.

Një vit më parë, kompania lajmëroi një program shkurtimesh prej një miliardë eurosh, si përgjigje paraprake për rënien e shitjeve.

Shkurtimi përfshinte edhe mbylljen e një prej fabrikave kryesore, pikë e kritikuar nga qeveria për rritjen që do t’i shkaktonte papunësisë.

Ndonëse sindikata e punonjësve apeloi këtë program në gjykatë, “Peugeot” informoi se arriti të realizonte një shkurtim të shpenzimeve prej 1,2 miliardë eurosh në 12 muajt e fundit.

Kompanitë e prodhimit të automobilëve po kalojnë një situatë të vështirë në të gjithë kontinentin, pasi shitjet në Europë ranë me 8,2% gjatë 2012-s.

“Peugeot-Citroen” eshte koorporata e dyte me e madhe europiane e prodhimit te automobileve ne Europe pas “Wolkswagen Group”.

Top Channel