Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun ka deklaruar se institucionet serbe në Kosovë nuk do të shpërbëhen.

“Nuk ka largim të institucioneve pa u arritur një marrëveshje e plotë për çështjen e Kosovës. Nëse arrihet një marrëveshje sipas platformës sonë, atëherë do të formojmë bashkësinë e komunave autonome serbe”, ka thënë Dreçun për mediat serbe.

Ai ka theksuar se Beogradi do t’i forcojë institucionet serbe në Kosovë, pasi ato janë e vetmja mënyrë që serbët e atjeshëm kanë për të mbijetuar.

Faktori ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht presion Serbisë që të largojë strukturat e saj të sigurisë dhe drejtësisë nga veriu i Kosovës.

Kjo çështje pritet të diskutohet në takimin e radhës të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, më 19 shkurt në Bruksel.

Por zgjidhja duket se nuk do të jetë e lehtë për t’u arritur, pasi të dyja palët vështirë se do të lëvizin nga qëndrimet e tyre, me Beogradin që kërkon autonomi për veriun ose një zgjidhje pa njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel