Bastet për Papën e ri

13/02/2013 01:00

Çdo rast është i mirë për bastvënësit dhe situata e krijuar në Vatikan, nuk përbën përjashtim. Përkundrazi, është momenti, nga i cili britanikë e irlandezë vendosën të përfitonin pa ngurim.

Punonjës të kompanisë së basteve “Paddy Power” kanë nisur fushatën e tyre në sheshin e Shën Pjetrit, me bastet se cili do të jetë personi që do të zëvendësojë Benediktin e 16-të në krye të kishës katolike.

“Paddy Power po promovon vënien e basteve për Papën e ri. Sigurisht, ka shumë spekulime, që pas deklaratës së dorëheqjes, dhe këtu kanë ardhur plot njerëz, gazetarë nga e gjithë bota. Atmosfera është ngarkuar e të gjithë pyesin cili do të jetë Papa i ri. Njerëzve u pëlqen të hamendësojnë e për këtë janë të gatshëm të japin parà. Është elektrizuese”.

Listën e “Paddy Power” e kryeson kardinali kanadez Marc Ouellet, i ndjekur në vend të dytë nga italiani Angelo Scola, i treti është Peter Turkson nga Gana dhe në vend të katërt renditet kardinali nigerian Francis Arinze.

Arinze dhe Benedikti i 16-të, që asokohe ishte kardinali Joseph Ratzinger, kanë qenë të preferuarit e bastvënësve në 2005-n, kur fati anoi nga kleriku gjerman, i cili u zgjodh të pasonte, në krye të institucionit 2 mijë vjeçar, Papën karizmatik, Gjon Pali i Dytë.

Top Channel