Aksident ajror në Ukrainë, 5 viktima

13/02/2013 23:50

Të paktën pesë persona mbetën të vrarë kur një avion, i cili kishte si pasagjerë disa tifozë futbolli, u përplas mbi pistë dhe shpërtheu në flakë pranë qytetit lindor ukrainas të Donetskut, informuan burime zyrtare.

Një avion “Antonov AN-24” me helika dhe 45 persona në bord ishte ai që u përfshi në këtë aksident për arsye ende të papërcaktuara.

Linja ishte duke shërbyer në një fluturim të brendshëm, nga qyteti jugor i Odesës në Donetsk.

Një burim policor tha për “Agence France Presse” se avioni tejkaloi me 700 metra pistën e aeroportit.

Pjesa më e madhe e pasagjerëve kanë mundur t’u shpëtojnë flakëve, ndërsa raportohen 12 të plagosur, veç 5 viktimave. “Ne u përplasëm në pistë, ndërsa avioni u hap më pas, si të ishte një kuti konserve”, tha një prej të mbijetuarve.

Top Channel