Zbulohen argumentet e Gjykatës

12/02/2013 19:30

Pesë ditë pas verdiktit që i dha pafajësi dy oficerëve madhorë të Gardës së Republikës, treshja gjyqësore me kryesues gjyqtarin Besnik Hoxha dhe pjesëtarë Ardiana Bera dhe Arjana Caco, ka mbyllur dhe firmosur argumentimin e vendimit për dosjen e “21 janarit”.

Argumentimi i vendimit, një dokument me rreth 40 faqe, ku shpjegohen arsyet se përse gjykata shpalli pafajësinë për kreun e gardës, gjeneral Ndrea Prendi dhe për komandantin e njësisë speciale, oficerin Agim Llupo ende nuk është bërë publik, por Top Channel ka mundur të sigurojë përmes një burimi jozyrtar disa pjesë të tij.

Top Channel ka mësuar se Gjykata argumenton se akuza e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj dy të akuzuarve të prokurorisë nuk qëndron në mënyrën se si është formuluar nga prokuroria, atë për dashjen e të pandehurve për të vrarë.

Gjykata, sipas argumentimit, nuk mohon që në 21 janar mbetën të vrarë Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, por ajo arsyeton se nuk ka elementë të akuzës së vrasjes me dashje, pasi nuk u provua se të pandehurit njiheshin me viktimat.

Sipas Gjykatës, nuk mund të ketë akuzë tjetër të seksionit të vrasjeve, sikurse janë akuzat e vrasjes nga pakujdesia, vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike, apo vrasjes në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme.

Gjykata është treguar e rezervuar të shprehet se për çfarë akuze mund t’i kishte sjellë prokuroria të pandehurit për gjykim, duke mos riklasifikuar akuzën, edhe pse pranon tre viktimat e ngjarjeve të 21 janarit.

Gjykata pranon ekspertizën e Byrosë Federale të Hetimit, duke arsyetuar në dy faqe të vendimit se prova kryesore e gjykimit të dosjes “21 janari” është pikërisht kjo ekspertizë.

Gjykata deklaron se e merr në konsideratë këtë provë dhe se nëpërmjet saj Gjykata ka krijuar bindjen se plumbi që ka vrarë demonstruesin Faik Myrtaj ka dalë nga arma e kreut të gardës, Ndrea Prendi.

Por gjykata kundërshton natyrën e akuzës, vrasjes me dashje në rrethana cilësuese dhe që u soll për gjykim nga Prokuroria. Në konkluzionet e sa thuhet më sipër, Gjykata në argumentimin e saj, pavarësisht se pranon vrasjet, por jo akuzën për vrasje me dashje, thotë se nuk mund të rikualifikojë një akuzë të re.

Kjo, sepse Gjykata shprehet se, e kufizojnë dy vendime të shpallura nga shkallët më të larta të gjyqësorit shqiptar. Vendimi i parë është një dokument i Gjykatës Kushtetuese, i vitit 1999, në të cilin thuhet se: Gjykata nuk është organ akuze dhe nuk formulon akuzë të re dhe as e ndryshon atë, por mbi bazën e fakteve të paraqitura bën cilësimin e duhur ligjor të veprës.

Në këtë rast, thotë Gjykata Kushtetuese, Gjykata bën një interpretim të ligjit që ajo zbaton dhe që është në kompetencë të saj dhe nuk cënon aspak kompetencat e prokurorit.

Në këtë pikë, në argumentimin e vendimit për 21 janarin, gjykata e Tiranës shton edhe një tjetër vendim, atë të kolegjit penal të Gjykatës së Lartë që i përket dhjetorit 2011.

Bëhet fjalë për çështjen e 53 fermerëve të Shkrelit, për të cilët gjatë gjykimit për sagën e gjetjes nëse bima e bllokuar nga policia ishte kërp apo kanabis, gjatë gjykimit Gjykata Penale e Shkodrës doli me vendimin e një akuzë të re, sipas të cilës të pandehurit nuk kishin bashkëpunuar rastësisht por në formën e grupit të strukturuar kriminal e për këtë arsye ajo nuk ishte kompetente, por gjykimin duhet ta bënin Krimet e Rënda.

Konfliktin mes Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe Gjykatës Penale të Shkodrës e zgjidhi Gjykata e Lartë, e cila u shpreh se kjo e fundit, duke ngritur një akuzë të re, ka vepruar jashtë kufijve të së drejtës duke i dhënë vetes atributet që ka Prokuroria.

Ndërsa për referimin që i bëri rastit të Strasburgut, gjykata shprehet se ka marrë në referencë rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, që oficerët e akuzuar kanë qenë në krye të detyrës në mbrojtjen e institucioneve dhe personaliteteve të larta dhe jo për mënyrën se si janë kryer vrasjet e protestuesve.

Gjykata çmon jufstifikimin e përdorimit të armëve kur ata ndodhen në presionin apo tensionin e turmës. Këto janë vetëm disa nga argumentat e Gjykatës Penale të Tiranës, ndërkohë që të mërkurën pritet të bëhet publik i gjithë argumentimi i kësaj çështjeje. Një vendim që po pritet nga të gjithë dhe që pritet të sjellë sërish polemika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA