Testi i 3-të bërthamor i Penianit

12/02/2013 00:00

Koreja e Veriut deklaroi se ka kryer me sukses testimin e tretë bërthamor në 7 vitet e fundit. Peniani tha se testimi u krye me një mbushje të vogël dhe se gjithcka shkoi sipas parashikimit. Testimi ka tërhequr vëmendjen dhe kritikat e ndërkombëtarëve.

“Pohojmë kryerjen me sukses të një testi bërthamor ku u përdor një mbushje bërthamore më e vogël, por më e fuqishme se e para. Testi u realizua me sukses në një zonë sekrete dhe nga shpërthimi nuk pati asnjë dëm ekologjik”, deklaroi televizioni shtetëror koreano-verior, KCNA.

Vendet e rajonit dhe komuniteti ndërkombëtar dyshojnë se objektivi i vendit komunist është prodhimi i një mbushje bërthamore në përmasa të mjaftueshme për t’u transportuar nga një raketë me rreze të gjatë veprimi, që deri më sot besohet se Peniani nuk ka mundur ta realizojë dot.

Dyshimet e para për kryerjen e testit lindën pas raportimit të instituteve gjeo-sizmike amerikane dhe koreano-jugore për aktivitet sizmik pikërisht në zonën ku vendi komunist ka kryer dy testimet e para nukleare.

Instituti amerikan sizmik tha se epiqendra e lëkundjeve që u regjistruan ditën e martë në Gadishullin Korean, është në një zonë me pak ose aspak aktivitet sizmik natyror, ndaj ka dyshime të forta se shkundja e tokës ka ardhur si pasojë e një shpërthimi bërthamor.

Lëkundjet ishin me magnitudë 4.9, raporton CNN. Mediat dhe zyrtarët e qeverisë në Seul deklaruan se nuk bëhej fjalë për tërmet, por për testimin e tretë bërthamor të Penianit. Testim ishte paralajmëruar muajin e kaluar nga vendi komunist pas ashpërsimit të sanksioneve ndaj tij.

“Ne besojmë se Koreja e Veriut ka kryer testimin e tretë bërthamor”, deklaroi Kim Min-seok, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Korenë e Jugut. Zëdhënësi shtoi se nisur nga magnituda e lëkundjes së tokës, besohet se shpërthimi ka qenë 6-7 kilotonë, më i fuqishëm se sa dy testimet e para të Koresë.

Teknika e testimit ka qenë e ngjashme me të parën, shpërthim nëntokësor. Nga vetë fjala, testime të tilla bëhen duke vendosur në thellësi të mëdha mbushjen bërthamore, qoftë me pluton apo me uranium.

Testimet bërthamore nëntokësore zbulohen shpejt, por ajo që mbetet e vështirë është përcaktimi i numrit të mbushjeve bërthamore që janë përdorur në të si dhe lloji i lëndës shpërthyese që është përdorur, ka qenë pluton apo uranium.

Reagimet

I pari që ka reaguar nga komuniteti ndërkombëtar ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun. Nëpërmjet një komunikate të shpërndarë për shtyp ai dënoi testimin, që e quajti në shkelje të plotë me të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Peniani sfidoi komunitetit ndërkombëtar dhe thirrjet e tij për lidershipin e ri të vendit komunist për të përballur me problemet e vërteta që has e të lërë menjëanë provokimet ndaj rajonit dhe sigurisë mbarëglobale. Pikërisht për këtë Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet urgjentisht për të diskutuar mbi sfidën e bërë ndaj komunitetit ndërkombëtar nga ana e Koresë së Veriut.

“Ky është një provokim i paprecedentë që duke pasuar testimin e raketës balistike me rreze të gjatë veprimi më 12 dhjetor të vitit të kaluar, vendos në pikëpyetje të mëdha paqen dhe stabilitetin jo vetëm rajonal si dhe shkel të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe marrëveshjen e arritur në bisedimet gjashtë-palëshe të 19 shtatorit të 2005 mbi programin bërthamor korean”, thuhet në deklaratën e Shtëpisësë Bardhë që më tej shpreh vendosmërinë për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të mbrojtur veten dhe gjithë aleatët e Uashingtonit në rajon.

Testimi u dënua edhe nga Kina, aleatja historike e vendit komunist. “Republika Popullore Demokratike e Koresë shpërfilli shqetësimin ndërkombëtar dhe kreu testimin bërthamor, testim që dënohet nga qeveria kineze”, thuhet në reagimin e Pekinit.

Kina deklaron se është e angazhuar për një rajon pa armë bërthamore që të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në gjithë Azinë Veri-lindore.

Edhe Japonia reagoi ashpër. Kryeministri Shinzo Abe e cilësoim testimin një kërcënim serioz për vendin e tij dhe një shkelje e hapur e rezolutave ndërkombëtare. 

BE-NATO dënojnë Korenë

Bashkimi Evropian dhe NATO dënuan në termat më të fortë të mundshëm testin bërthamor të Koresë së Veriut, të cilës i bëjnë thirrje të shmangë çdo veprim tjetër provokues.

“Ky akt i papërgjegjshëm, bashkë me lëshimin e raketës në dhjetor, përbën një kërcënim të rëndë për sigurinë, stabilitetin dhe paqen ndërkombëtare dhe rajonale”, thuhet në një reagim të NATO-s.

Dy organizatat theksojnë se me ndjekjen e programit të armëve të shkatërrimit në masë, Koreja e Veriut vijon të sfidojë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar.

“BE do të punojë me partnerët kyç të komunitetit ndërkombëtar për të dhënë një përgjigje të vendosur dhe të bashkuar, për t’i dëshmuar Koresë së Veriut se ka pasoja në rast shkeljesh të vazhdueshme të rezolutave të OKB-së”, thuhet në një reagim të BE-së.

NATO dhe BE përsërisin thirrjen që vendi të braktisë programin e armëve bërthamore, përfshirë programin e pasurimit të uraniumit, në një mënyrë të plotë, të verifikueshme e të pakthyeshme, ndërsa paralajmërojnë Korenë e Veriut se ky test bërthamor do ta çojë drejt një izolimi edhe më të madh.

 

Top Channel