Squfuri te karburantet

12/02/2013 22:45

Sipas Komunitetit Europian të Energjisë, ku Shqipëria bën pjesë, vendi nuk ka përshtatur dhe as nuk ka zbatuar kërkesat e direktivës mbi nivelet e lejuara të squfurit te karburantet, duke tejkaluar afatin e fundvitit 2011.

Direktiva në fjalë synon uljen e përmbajtjes së squfurit në 1% dhe 0,1%, sipas lëndëve djegëse, për të pakësuar çlirimin e substancave të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe për mjedisin, si dhe kërkon testime dhe analiza të shpeshta nga vendet kontraktuese.

Mospërshtatja dhe moszbatimi ka shtyrë Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë, me seli në Vjenë, që të nisë zgjidhjen e mosmarrëveshjes, nëpërmjet procedurës së vërejtjeve të Letrës së Hapur, sipas rregullave në fuqi të këtij Komuniteti.

“Në raportet e zbatueshmërisë, Sekretariati ka nënvizuar në mënyrë të përsëritur se, një numër palësh të kontraktuara duhet të ndërmarrin hapa thelbësorë për përshtatjen dhe zbatimin e kësaj direktive”, theksohet në një komunikatë për shtyp.

Përveç Shqipërisë, e njëjta procedurë ka nisur me Serbinë, Maqedoninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Ukrainën, të cilave u kërkohet që, deri më 12 prill të këtij viti, të përmbushin angazhimet e tyre ndaj Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ose të justifikojnë qëndrimin e tyre.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA