Siri, shpërthim në kufirin me Turqinë, 13 të vdekur

12/02/2013 00:55

Një minibus shpërtheu në kufirin Siri-Turqi, duke vrarë të paktën 10 sirianë dhe 3 turq, kanë bërë të ditur zyrtarë të shtetit turk. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi shpërthimin, që plagosi edhe dhjetra të tjerë.

Ndërkohë, rebelët raportohen të kenë pushtuar digën e hidrocentralit më të madh të Sirisë, gjë që konsiderohet si një humbje strategjike për qeverinë.

Aktivistë dhe grupe opozitare thanë se luftuesit ishin në vëzhgim të hyrjeve-daljeve në digën e ndodhur në provincën Raqa. Raportimet bëjnë të ditur se diga në lumin Euphrates, në veri të vendit, ishte ende funksionale.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, përsëriti të hënën se nuk do të jepte dorëheqjen, “pavarësisht shtimit të presionit”, bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Sana.

“Siria do të mbetet zemra rrahëse e botës arabe dhe nuk do të jap dorëheqjen nga parimet e saj, pavarësisht presionit të intensifikuar dhe diversifikimit të komploteve, që nuk po vënë në objektiv vetëm Sirinë, por të gjithë arabët”, është cituar të ketë thënë ai për Sana.

Shpërthimi i së hënës ndodhi në zonën e postës doganore Cilvegozu, në anën turke të kufirit, në provincën jugore të Hatay-t. Ky është një nga pikat kryesore të shfrytëzuar nga refugjatët sirianë për t’u larguar drejt Turqisë.

Minibusi i regjistruar në Siri shpërtheu pak metra larg portës së kufirit turk, ku ishin mbledhur dhjetra civilë dhe punonjës humanitarë, bëri të ditur zëvendës-kryeministri turk, Bulent Arinc.

“Ishte një shpërthim i fuqishëm, por informacione nëse ishte një automjet i ngarkuar me eksploziv apo ndonjë tjetër lënde plasëse, mendoj se do të duhet të presim deri nesër”, tha ai. “Të gjitha mundësitë po hetohen, përfshi këtu edhe motivet politike”.

Ministrat turq të Brendshëm, të Drejtësisë dhe të Doganave kanë shkuar menjëherë në vendngjarjen e aksidentit.

Top Channel