Programi bërthamor, Irani kërkon dialog

12/02/2013 16:10

Irani shpreson në “hapa konstruktivë”, në bisedimet që do të mbahen në fund të muajit për programin bërthamor të vendit aziatik.

Këtë e deklaroi gjatë një takimi me homologun e tij rus në Moskë, ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Ali Akbar Salehi.

Më parë, edhe Kremlini eshte shprehur se dëshiron që këto bisedime të jenë në gjendje të prodhojnë “në mos një zgjidhje, një rrugë të qartë drejt çtensionimit të situatës, nëpërmjet një kompromisi të qëndrueshëm”.

Bisedimet do të nisin në datën 26 shkurt në Almati, Kazakistan.

Ato do të zhvillohen sipas formulës së mëparshme, midis Teheranit dhe përfaqësuesve të pesë vendeve me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit (SHBA, Kinë, Rusi, Francë, Britani), plus Gjermania.

Sipas ekspertëve ndërkombëtare, presidenti në largim, Nexhat Ahmadinejad, po luan një lojë të hollë diplomatike me fuqitë e mëdha, pasi deklarata shpresëdhënëse e ministrit vjen pak ditë pasi Teherani u deklarua i vendosur për vazhdimin e pasurimit të uranimit dhe pasi u refuzuan negociatat e drejtëpërdrejta me qeverinë amerikane.

Pas ndërprerjes së bisedimeve për programin bërthamor në mesin e 2012-s, vendi me 75 milionë banorë është gjunjëzuar nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa kanë sjellë një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi Ahmadinejad të rritet.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Top Channel