Gërdeci, të mërkurën vendimi i Apelit

12/02/2013 18:20

Këtë të mërkurë, në orën 15, Gjykata e Apelit pritet të thotë fjalën e saj për 29 të pandehurit e tragjedisë së 15 marsit në Gërdec. Vendimi pritet të shpallet nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.

Në fakt, trupa gjyqësore e Apelit kishte shpallur një datë të mëhershme për të dhënë verdiktin e saj, por sipas gjykatës kjo datë është shtyrë për të mërkurën në datë 13 shkurt, pasi dosja ishte shumë voluminoze.

Të pranishëm në seancë përveç medias pritet të jenë edhe familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit 2008, të cilet e kanë ndjekur proçesin si në Shkallën e Parë ashtu edhe në Apel, si dhe avokatët mbrojtës të të pandehurve.

Ndryshe nga zvarritjet në Shkallën e Parë, në Gjykatën e Apelit dosja “Gërdeci” u gjykua në kohë rekord brenda pak muajve. Nga ana e saj, prokuroria i kërkon gjykatës që të deklarojë 28 persona fajtorë, mes të cilëve edhe shoqërinë “Albademil”, dhe vetëm për Lavdi Shatron të tërhiqen aktet.

Ndërkohë, të gjithë avokatët e të pandehurve gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë këmbëngulur për pafajësi, si dhe kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë, ku pjesa dërrmuese e trye janë dënuar.

Top Channel