Francë, Parlamenti pro martesave gay

12/02/2013 19:05

Parlamenti i Francës miratoi pasditen e së martës ligjin e martesave të së njëjtës gjini, përfshi të drejtën e birësimit të fëmijëve nga çiftet gay.

Pas disa ditësh debati intensiv, ligji u aprovua me 329 vota pro dhe 229 kundër. Në mënyrë që ai të hyjë në fuqi, duhet të marrë edhe aprovimin përfundimtar të Senatit dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Martesa për të gjithë”, një projektligj i propozuar nga presidenti Francois Hollande, u mbështet prej socialistëve në pushtet dhe disa partive të tjera të majta.

Rezultati i votimeve u prit me reagime të përzjera, me deputetët e majtë që u ngritën në duartrokitje dhe shoqatat “LBGT” që shprehën kënaqësinë e tyre për këtë “hap gjigant kundër diskriminimit të prirjes seksuale”, por edhe me kundërshtimin e ashpër të shoqatave konservatore dhe pro familjes, që premtuan vazhdimin e luftës së tyre ligjore kundër këtyre martesave.

Çështja ka fituar një ndjeshmëri të madhe publike, me protestat dhe kundërprotestat që janë bërë gjithmonë e më të numërta në qytetet kryesore.

Midis 340-800 mijë francezë manifestuan në organizimin më të madh, në 13 janar në rrugët e Parisit, për të kundërshtuar ligjin, por 125-400 mijë manifestuan në mbështetje të martesave të të njëjtës gjini disa ditë më pas.

Ndjeshmëria që ka fituar kjo çështje ka qenë befasuese edhe për vetë mediat franceze, gjithashtu të surprizuara nga vendosmëria me të cilën është kundërshtuar ligji nga francezët që mbështesin vlerat tradicionale familjare.

Aktualisht, çiftet LBGT në Francë zotërojnë të drejtën e bashkëjetesës civile, e cila u njeh të drejta të ngjashme me atë të një martese, përfshirë dëmshpërblime për prishjen e martesës dhe u njeh çifteve mundësinë e trashëgimisë, por martesa ligjore dhe birësimi për pakicat seksuale është e i ndaluar me ligj, deri në shpalljen e mundshme të këtij ligji në fletoren zyrtare.

Me pare gjate javes, edhe Parlamenti Britanik i hapi driten jeshile martesave gay, duke miratuar nje projektligj te njejte.

Martesa e personave të së njëjtës gjini lejohet aktualisht në Argjentinë, Belgjikë, Kanada, Daniumarkë, Islandë, Holandë, Norvegji, Portugali, Afrikë e Jugut, Spanjë, Suedi dhe në disa shtete të SHBA-së, por janë disa dhjetëra vende të tjera që po debatojnë apo ndodhen në fazë aprovimi të kësaj të drejtë për komunitetin LBGT.

Top Channel