Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë dhe roli i misionit europian, EULEX, në këtë çështje ka qenë një nga temat e takimit të parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me shefin e ri të këtij misioni, Bernd Borchardt.

Kryeministri Thaçi tha se institucionet e Kosovës do t’i japin mbështetje të plotë misionit europian në punën e mëtejshme.

“Natyrisht që diskutuam edhe për proçesin e dialogut dhe për proçesin e implementimit të marrëveshjeve. Unë dua të besoj që edhe EULEX-i do të ketë rolin e vet në proçesin e vendosjes së rendit dhe ligjit, në proçesin e drejtësisë. Do të punojmë bashkarisht për të pasur suksese të përbashkëta. Ne jemi në proçesin e reformave demokratike evropiane dhe qeveria e Kosovës së bashku me EULEX-in do të punojnë për implementimin e gjithë axhendës që kemi para nesh”, deklaroi Thaçi.

“Mezi po pres të filloj punën, po pres të përballemi edhe me shumë sfida dhe këto sfida nuk duhet t’i nënvlerësojmë. Kryeministri dhe unë jemi pajtuar që të kemi bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional. Përveç luftës kundër krimit dhe sundimin e ligjit, ne kemi detyrë të ndihmojmë edhe me zbatimin e marrëveshjeve në këtë dialog tepër të rëndësishëm mes Beogradit dhe Prishtinës. Kjo mbetet prioritet i rëndësishëm për ne dhe EULEX do të bëjë përpjekje të mëdha për të mbështetur palët që të zbatojnë këto marrëveshje. Nuk i nënvlerësojmë sfidat që na presin”, deklaroi nga ana tjetër Borchardt.

Diplomati gjerman foli edhe për aspiratat e Kosovës për integrimin europian, me ç’rast tha se janë bërë hapa të rëndësishëm, duke shtuar se EULEX-i është në gjendje të ndihmojë që të arrihen standardet për liberalizimin e vizave.

Borchardt ka marrë ditë më parë detyrën si shef i Misionit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, duke zëvëndësuar francezin, Xavier Bout de Marnhac.

Gjermani ka shërbyer në Kosovë edhe më parë gjatë kohës së luftës dhe kishte rolin e zëvëndësshefit të misionit verifikues të OSBE-së që udhëhiqej nga William Walker, ndërsa ka qenë ambasador i Gjermanisë në Shqipëri gjatë viteve 2006-2007.

Top Channel