SHBA, ende e bllokuar nga superstuhia

11/02/2013 15:45

Qindra mijëra amerikanë mbeten të bllokuar, pas një prej stuhive më të fuqishme që goditi Bregun Lindor gjatë fundjavës.

Stuhia, e cila besohet se i kushtoi jetën dhjetëra personave, ka bllokuar shumë komunitete dhe krijuar vështirësi në transportin e disa metropoleve, në SHBA dhe Kanada.

Aktualisht, rreth 350 mijë shtëpi dhe biznese mbeten pa energjike elektrike.

Sipas mediave amerikane, në disa shtete, koha e keqe solli deri një metër rreshje dëbore në vetëm pak orë, duke paaftësuar autoritetet në mbajtjen e hapur të rrugëve të komunikimit dhe asistimin e personave në nevojë.

Megjithatë, ditën e hënë, shumica e aeroporteve kanë rinisur të funksionojnë, ndonëse koha e keqe parashikohet të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.

Shtetet e Masaçusetsit dhe Konektikatit, që prej orëve të mëngjesit kanë hequr urdhërin e ndalimit të qarkullimit, ndërsa autostradat e shtetit të Nju Jorkut janë gjithashtu në funksionim, ndonëse regjistrohen vështirësi e radhë të gjata.

Top Channel