Seuli: Rreziku nga Koreja e Veriut i afërt

11/02/2013 21:20

Koreja e Veriut ka larguar nga impianti Punggye-ri të gjithë personelin dhe pajisjet, një lëvizje që sipas Jugut është shenjë e një rreziku të afërt për testin bërthamor.

Duke cituar burime nga qeveria e Seulit, agjencia e lajmeve “Yonhap” njofton në edicionin e saj online se, që prej së premtes së kaluar në impiantin në fjalë nuk ka lëvizje.

“Tani po mbikëqyrim zhvillimet nga afër për të mësuar nëse jemi përballë një testi bërthamor të afërt apo një tjetër taktike mashtrimi”, thotë burimi për agjencinë koreano-jugore.

Koreja e Veriut ka kërcënuar se do të mbajë testin e tretë bërthamor, pavarësisht apelit të komunitetit ndërkombëtar, si përgjigje ndaj sanksioneve të OKB-së për raketën-satelit të lëshuar më 12 dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut paralajmëruan më herët gjatë muajit Penianin për “pasoja të mëtejshme” nëse kryen një test të tretë bërthamor.

Presidenti në ikje i Seulit, Lee Myung Bak deklaroi se Peniani mund të jetë duke planifikuar “teste të shumëfishta në dy lokacione ose më shumë”.

Peniani nuk ka dhënë një kohë të saktë se kur do të kryejë testin, por pamjet satelitore të publikuara javën e kaluar tregonin se përgatitjet në impiantin Pangi-ri pothuajse kishin përfunduar.

Në një bisedë telefonike, sekretari i ri i Shtetit, John Kerry dhe homologu koreano-jugor Kim Sung Hwan ranë dakord se, “nëse Veriu vazhdon me sjelljen provokuese dhe kryen hapa të mëtejshëm, atëherë duket të ketë pasoja të mëtejshme”.

Top Channel