Politikanët përshëndesin Papën

11/02/2013 23:00

Largimi i Benediktit mund të shënojë ndoshta kohën, kur kisha katolike duhet të nisë të mendojë për zgjedhjen e të parit lider të saj, jo-europian.

Peter Turkson nga Ghana kryeson listën e kandidatëve afrikanë. 64-vjeçari është drejtuesi i zyrës së drejtësisë dhe paqes në Selinë e Shenjtë, zëdhënës i ndërgjegjes sociale të kishës dhe përkrahës i reformave financiare.

Por, një video e kohëve të fundit e tregon në një takim në Vatikan, duke kritikuar muslimanët, çka ngre dyshime mbi mënyrën se si Turkson e sheh islamin.

Marc Ouellet, nga Kanadaja, është shef stafi i Vatikanit dhe kryetar i kongregacionit të Peshkopëve. Ai pati thënë dikur se Papati “është makthi më i tmerrshëm që ekziston”.

Por, edhe pse ka lidhjet e duhura në aparatin administrativ të Selisë së Shenjtë, laicizmi i përhapur në vendlindjen e tij, Quebec, mund të jetë një pengesë për të mos u nënvlerësuar.

Ndër kandidaturat e tjera të mundshme përmenden kardinali vjenez Christoph Schoenborn, ish-student dhe aleat i ngushtë i Racingerit, 65-vjeçari brazilian Joao Braz de Aviz, që solli një frymë të re në Vatikan, dhe amerikani Timothy Dolan, i konsideruar zëri i katolicizmit në Shtetet e Bashkuara.

Pas Gjon Palit polak dhe Benediktit, të lindur në Gjermani, posti dikur i rezervuar vetëm italianëve, tani është i hapur për të gjithë.

Vendimi i Benediktit për të hequr dorë nga Papati, ndërkohë, ka shkaktuar reagime në mbarë globin, që nga udhëheqësit botërorë e deri te njerëzit e thjeshtë.

Kancelarja Angela Merkel e quajti Benediktin e 16-të, një prej mendimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë, e tha se vendimi i Papës për t’u tërhequr meriton respekt.

“Kur Jozef Racingeri u zgjodh kryetar i kishës katolike, gati 8 vjet më parë, të gjithë ne në Gjermani u ndjemë krenarë për bashkatdhetarin tonë, i pari në shekuj nga ky vend, që mori një post të tillë. I uruam suksese në punën e tij. Nëse Papa vetë, përmes reflektimit, ka dalë në përfundimin se nuk e ka më forcën të kryejë detyrën e tij, atëherë e respektoj thellësisht vendimin e tij” u shpreh Merkel.

Presidenti francez, Francois Hollande, e cilësoi dorëheqjen e Papës një vendim të guximshëm.

“Vendimi i Benediktit të 16-të është i guximshëm dhe, do të thoja, i jashtëzakonshëm. Por, nuk mund të bëj komente të tjera, duhet t’ia lëmë kishës katolike të vendosë si do ta organizojë zgjedhjen e pasardhësit të tij. Ne nuk do të paraqesim asnjë kandidat”, tha Hollande.

Nga vendlindja e tij, Gjermania, e deri në Indi, Filipine e Nigeri, vendimi i papritur i Papës ka shkaktuar habi e keqardhje. Në Irlandë thonë se do të ndihet mungesa e Racingerit.

“Papa Benedikti ka qenë gjithmonë një vizionar dhe një mendimtar shumë origjinal, një teolog i shkëlqyer”, tha një banor i Dublinit.

“Është një vendim që na trishton, por jam e bindur se e ka marrë në interes të të gjithëve. Nëse nuk është mirë me shëndet, atëherë mbase më mirë kështu. Ka qenë një njeri shumë i qetë, një njeri i shenjtë vërtet. I ka shërbyer shumë mirë botës dhe ka ndihmuar e inkurajuar të rinjtë”, tha një banore e Dublinit.

Njoftimi i Papës Benedikt, se nuk kishte më as fuqinë mendore dhe as atë fizike për të drejtuar kishën katolike, u cilësua në media si historik.

Zyrtarët e tij po përpiqen të krijojnë një klimë qetësie në drejtimin e institucionit 2 mijë vjeçar, por vendimi i Racingerit, sipas ekspertëve, mund të çojë drejt njërës prej periudhave më të pasigurta e të paqëndrueshme, që ka përjetuar në shekuj kisha, e tronditur së fundi nga një seri skandalesh e problemesh të brendshme.

Top Channel