Në pritje të tymit të bardhë

11/02/2013 00:00

Benedikti i XVI jep dorëheqjen në fund të muajit në moshën 85-vjeçare, i pari Papë që largohet me dëshirën e tij që prej 1415-ës, kur të njëjtën gjë bëri Gregori i XII.

Ligji kanonik i kishës e thotë qartë se nëse një Papë jep dorëheqjen, i vetmi kusht për vlefshmërinë e saj është që të bëhet në mënyrë të lirë e të hapur.

Largimi i beftë i Benediktit tani vë në lëvizje një proces qindra-vjeçar të zgjedhjes se një Pape të ri. Kreu i Kolegjit të Kardinalëve, 85-vjeçari Angelo Sodano do të jetë personi përgjegjës për organizimin e takimit të kardinaleve për zgjedhjen e Atit të Shenjtë, apo konklava sic njihet ndryshe.

Aktualisht janë 203 kardinalë nga 69 vende. Me i rëndësishmi prej tyre gjatë konklavës është kardinali që njihet si Camerlengo apo Shambelani. Mbikqyrja e të gjithë procesit zgjedhor është detyrë e këtij të fundit. Gjatë periudhës së diskutimeve, të zhvilluara në fshehtësi të plotë, do të vlerësohen me kujdes meritat e secilit kandidat.

Kardinalët nuk duhet patjetër të zgjedhin një prej tyre, teorikisht cdo mashkull i pagëzuar katolik mund të bëhet Papë, por tradita dikton që ky post t’i jepet patjetër një Kardinali. Sipas Vatikanit, ata drejtohen nga Shpirti i Shenjtë.

Por edhe pse fushata e hapur për Papat ndalohet rreptësisht, zgjedhja e Atit të Shenjtë mbetet një proces së tepërmi politik. Krijuesit e koalicioneve kanë rreth dy javë kohë për të farkëtuar aleanca dhe kardinalet e vjetër që vetë kanë ndoshta pak shanse përzgjedhjeje, mund të influencojnë ndjeshëm tek të tjerët.

Zgjedhja e Papës kryhet në kushtet e një fshehtësie të rrallë për kohën tonë. Kardinalet mbyllen në Vatikan deri në arritjen e një marrëveshjeje e ky është vetë kuptimi i fjalës konklave, të kyçësh brenda me çelës.

Procesi mund të zgjasë për disa ditë, por në shekujt e mëparshëm ka ndodhur që të zvarritet edhe për javë apo muaj të tëra dhe ka ndodhur që disa kardinalë kanë ndërruar jetë gjatë konklavave.

Përpara se votimi të nisë në Kapelen Sistine, e gjithë zona kontrollohet nga ekspertët e sigurisë që të mos ketë mikrofonë apo kamera të fshehura. I vetmi kontakt që i lejohet kardinalëve me botën e jashtme është në raste emergjencash mjekësore.

Numri maksimal i kardinalëve zgjedhës është 120. Pas  numërimit, votat digjen dhe në varësi të ngjyrës së tymit, jashtë mureve mësohet cfarë po ndodh: tymi i bardhë do të thotë se Papa i ri është zgjedhur.

Top Channel