Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mërkiç ka deklaruar se zyrtari për marrëdhëniet me Prishtinën do të vendoset në selinë e BE-së në Beograd dhe nuk do të ketë “asnjë lloj zyre”.

“Qeveria në Prishtinë, zyrarin ndërlidhës mund ta quajë si të dojë. Mund ta quajë ambasador ose përfaqësues nga kozmosi. E vërteta është se në ambientet e BE-së në Beograd do të punojë vetëm një njeri i cili do të jetë personi kontaktues për çështje teknike”, ka thënë Mërkiç.

I cituar nga mediat lokale, shefi i diplomacisë serbe ka theksuar se personi në fjalë nuk mund të ketë titull tjetër veç atij të zyrtarit për ndërlidhje.

Reagimi i Mërkiç vjen pasi ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha më heret se është arritur një marrëveshje e cila përcakton se zyra që do të hapet në Beograd do të quhet Zyra për Ndërlidhje me Republikën e Kosovës.

Javën e kaluar Serbia emëroi oficerin e saj ndërlidhës në Prishtinë, Dejan Paviçeviç, në një mbledhje të qeverisë. Paviçeviç është jurist në përfundim të doktoraturës së tij dhe që nga vitit 2008 ka punuar si shef i kabinetit në atë që quhej Ministria për Kosovën e Metohinë.

Ndërkohë që më pas është emëruar si shef i grupit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Detyra e tij, siç thuhej në njoftimet zyrtare, do të jetë monitorimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Vetë Paviçeviç deklaroi më herët gjatë muajit se kjo pozitë nuk është si ajo e një ambasadori, pasi Serbia dhe Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Më herët gjatë vitit Kosova caktoi ambasadorin e saj në Suedi, Lulzim Peçi, për të kryer këtë detyrë. Ky do të jetë shkëmbimi i parë i zyrtarëve të qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës pas marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Top Channel