Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti të hënën në një takim kryeministrin Hashim Thaçi, të shoqëruar nga koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Blerim Shala.

Sipas një njoftimi për shtyp nga presidenca, kryeministri Thaçi e informoi presidenten për raundin e ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet në Bruksel më 19 shkurt, për temat që do të diskutohen, për marrëveshjet që synohet të arrihen, si dhe për delegacionin e ekspertëve nga Kosova që do të marrin pjesë.

Gjithashtu, njoftohet se presidentja Jahjaga dhe kryeministri Thaçi biseduan edhe për festimet me rastin e pesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe për përgatitjet që janë duke u bërë që ky përvjetor të organizohet dhe ta prezantojë shtetin në mënyrë dinjitoze.

Presidentja dhe kryeministri biseduan edhe për rrjedhat e reformës zgjedhore, si dhe për miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës, të rëndësishme për plotësimin e kritereve nga axhenda evropiane për Kosovën.

Javën e kaluar, në një intervistë për gazetën vjeneze “Die Presse”, Thaçi vlerësoi se në bisedimet me homologun serb janë arritur rezultate dhe shprehu bindjen e tij se së shpejti do të zgjidhet çështja e strukturave paralele. 

Ndërsa vetë Jahjaga zhvilloi javën e kaluar takimin me homologun serb Tomisllav Nikoliç, i pari mes dy presidentëve të Serbisë dhe Kosovës. 

Top Channel