Stuhia e dëborës në SHBA

10/02/2013 12:05

Verilindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet në pjesën më të madhe të saj e bllokuar nga dëbora e qindra-mijëra banesa e biznese janë pa energji elektrike.

Stuhitë e fuqishme me erëra që kaluan shpejtësinë e 100 kilometrave në orë, shkaktuan pështjellim në rajon e disa vdekje. Në mesin e viktimave është një 11-vjeçar. Shumë zona u mbuluan brenda pak orësh nga gati një metër dëborë. Reshjet e dendura të saj dëmtuan linjat e energjisë elektrike, paralizuan transportin e detyruan autoritetet të pezullojnë një numër të madh fluturimesh.

Policisë në kontenë Sufolk të Nju Jorkut i është dashur të mobilizohet për të nxjerrë nga situata me qindra vetë të bllokuar në autostradën “Long Island Expressway”. Edhe pse sistemi i stuhive është zhvendosur drejt lindjes, për zonat bregdetare paralajmerimet nga ngrica dhe përmbytjet janë lënë në fuqi.

Në Konektikat, Masaçusets dhe Rode Island u shpall ndalimi i udhëtimit. Banorët e Nju Jorkut dhe gjashtë shteteve të Nju Englandit janë detyruar të dalin e të pastrojnë dëborën për të lëvizur makinat e tyre të bllokuara. Sipas zyrtarëve, mund të kalojnë disa ditë para se të rivendoset energjia elektrike në disa zona.

Rreth një metër dëborë ra në Kënektikat dhe një rekord prej 78 centimetrash në Portland të Meinit. Nju Jorku i shpëtoi stuhisë me vetëm 30 centimetra dëborë. Stuhia e borës shkaktoi përmbytje në disa qytete bregdetare përgjatë brigjeve verilindore të Atlantikut. Fillimisht u pa me shqetësim mbyllja e uzinës së energjisë bërthamore Pilgrim në Masaçusets pas ndërprerjes së energjisë elektrike, por zyrtarët deklaruan më pas se ajo nuk përbën asnjë rrezik.

Top Channel