Referendumi i skocezëve

10/02/2013 20:10

David Cameron është hedhur në sulm për të argumentuar përpara publikut anglez dhe skocez, se përse Skocia përfiton më shumë, nëse qëndron me Londrën dhe jo e shkëputur.

Skocezët do të votojnë vitin e ardhshëm në referendum për t’u pavarësuar apo për të qëndruar ende, si gjatë 300 viteve të fundit, bashkë me Anglinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut, në Britaninë e Madhe.

Vendimi i skocezëve do të ketë implikime edhe në këto tre vende. “Britania adhurohet në mbarë botën si burim begatie, fuqie dhe sigurie”, thotë Cameron, i cili i referohet verës së kaluar gjatë Lojërave Olimpike, ku të gjithë popujt e Mbretërisë së Bashkuar ishin bashkë.

Të hënën, qeveria e Londrës do të publikojë dokumentat, ku analizon disavantazhet e shkëputjes. Ishin skocezët, që botuan një javë më parë “hartën e tyre të rrugës”, që duhet të aplikohet në fillim të 2016, nëse fiton referendumi i tyre i vitit të ardhshëm.

Cameron, duke argumentuar pro qëndrimit të Skocisë në Britani, tha se “pyetja realisht duhet të shtrohet, nëse Skocia është më e fuqishme, më e sigurt, më e pasur dhe më e mirë bashkë në Mbretërinë e Bashkuar, apo jashtë saj. Dhe këtu besoj që përgjigja është e qartë”, thotë kryeministri britanik.

Skocia ka qeverinë e saj dhe parlamentin e saj në Edinburg, në kuadër të unionit, duke marrë vendime që ndikojnë në jetën e përditshme të skocezëve, në fushën e arsimit, shëndetësisë, madje edhe duke pasur një sistem ligjor të pavarur.

Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e skocezëve janë kundër pavarësisë dhe kërkojnë të qëndrojnë edhe më tej me Britaninë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA