Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar mëngjesin e së shtunës me Ministrin e Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Yilmaz.

Turqia ka rikonfirmuar mbështetjen për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe ka premtuar se Turqia do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.Siç njofton zyra për shtyp e Kryeministrit, në këtë takim është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy Qeverive, me theks të veçantë në mbështetje të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ministri turk i Mbrojtjes po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë, ndërsa një ditë më parë është takuar edhe me drejtuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Gjatë takimit me ministrin për FSK-në, Agim Çekun, është biseduar për mundësinë e përfshirjes së trupave të FSK-së në kuadër të kontigjentit turk në operacionet paqëruajtëse ku ata janë të angazhuar.

Deri më tani 114 pjestarë të FSK-së, oficerë apo nënoficerë kanë kaluar nëpër shkollat ushtarake të Turqisë.Po ashtu, pjestarë të FSK-së janë duke ndjekur shkollimin në Akademinë ushtarake të Turqisë për pilot të helikopterevë.Dy autoblinda janë blerë deri më tani dhe pritet të blihen edhe tri të tjera me paratë që Kosova merr si mbështetje financiare nga Turqia.

Top Channel